Në një kohë kur i vetmi aeroport në vendin tonë është jashtë funksionit, kryeministri Edi Rama bën postimin e disatë kundër presidentit të vendit Ilir Meta, të cilin në bashkëpunim me ish-kryeministrin e vendit e quan një nxitës të bllokimit të aktivitetit të aeroportit ‘Nënë Tereza’.
“Humoret vulgare të IM ndërkohë që një grup i nxitur prej tij dhe Saliut, kanë kryer aktin e rëndë të bllokimit të aktivitetit të aeroportit “Nënë Tereza”, thjesht rikonfirmojnë se IM është nxitës i kësaj goditjeje të çmendur e s’ka shqiptar që s’e kupton pse! Po s’do ia dalin jo!”, shkruan Rama në postimin e tij në Twitter.
Gjatë ditës së sotme ka pasur përplasje të shumta mes Ramës dhe Metës, për çështjen e aeportit të Rinasit, ku 60 kontrollorë kanë pezulluar punën e tyre duke çuar në mbylljen e të vetmit aeroport në vend.
“Ilir, dokrrat me injorimin e kërkesave të pseudosindikatës së kontrollorëve dhe predikimet për mosndërprerjen e punës në aeroport nuk pinë ujë! Je një nga dy nxitësit e kësaj goditjeje të çmendur, në kërkimin e palodhur të rrëzimit të qeverisë e të vetë shtetit! T’i harrosh të dyja!”, shkruante më herët Rama.
Ndërkohë që presidenti Meta u përgjigj duke thënë se reagimin e plotë do ta bëjë pasditen e sotme nga Vlora.
”Qeverisë së 1 Prillit do t’ia jap sot pasdite nga Vlora përgjigjen për çështjen e Aeroportit të Rinasit, si çështje shumë e rëndësishme e sigurisë kombëtare dhe e detyrimeve ndërkombëtare.
Nëse është hapur Aeroporti i Vlorës, konferencën e shtypit do e bëjmë atje, por nëse jo, në një ambient tjetër të përshtatshëm për të cilin gazetarët do të njoftohen në kohë.
Ftohet dhe “Tërmeti” të marrë pjesë për shkak të përvojës së tij me aeroportet, fluturimet dhe jo vetëm”, shkruante Meta në postimin e tij.
Kryeministri Rama menjëherë pas njoftimit për mbylljen e aktivitetit të Aeroportit ‘Nënë Tereza’ reagoi duke paralajmëruar kallëzim penal dhe përballje me ligjin për organizatorët e bojkotit të punës.
“Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit “Nënë Tereza” nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës “Leshko” dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat!
Organizatorët do të kallzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin,që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve!Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë o me antishtetin në një proces penal për cënim të sigurisë kombëtare!”, shkruajti me urgjencë Rama në Twitter.
(E.K/Faxweb.al)