Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta i është rikthyer ditën e sotme çështjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, duke u shprehur se ato janë interes kombëtar dhe jo probleme të brendshme të partive.
Blushi thekson se është e domosdoshme të vazhdojë procesi i administrimit të zgjedhjeve deri në fund, në respekt të Kodit Zgjedhor.
Postimi i Blushit vijon më tej duke nënvizuar që Transparenca dhe respekti për votën e çdo qytetari, që mori pjesë në zgjedhjet e 25 prillit, është vendimtar për besimin te zgjedhjet dhe Demokracia.
“Është e domosdoshme të vazhdojë procesi i administrimit të zgjedhjeve deri në fund, në respekt të Kodit Zgjedhor. Transparenca dhe respekti për votën e çdo qytetari, që mori pjesë në zgjedhjet e 25 prillit, është vendimtar për besimin te zgjedhjet dhe Demokracia. Kjo është çështje e interesit kombëtar sot dhe jo problemet e brendshme të partive,” shkruan Blushi.
Rikujtojmë se Presidenti i vendit dhe zëdhënësi i tij kanë bërë thirrje të herëpashershme që procesi i numërimit të votave dhe administrimit të zgjedhjeve të 25 prillit të jetë transparent. Reagimet kanë qenë të fokusuara kryesisht te numri historik i votave të shpallura të pavlefshme, mbi 80 mijë ose të përkthyera në përqindje, 5%.
(E.H/Faxweb.al)