Situata në Pikën Kufitare të Kakavijës vijon të jetë ende problematike, ku radhët kilometrike të qytetarëve shqiptarë që presin të kalojnë kufirin sapo vijnë edhe po shtohen akoma më shumë.
Kamerat e televizionit Faxnews kanë qenë të pranishme në terren që prej ditës që problem i Kakavijës filloi të shfaqej. Temperaturat e larta bëjnë që situata të agravohet akoma më shumë, me njerëz të të gjitha moshave disa prej të cilëve e kanë të pamundur të presin në diell dhe temperatura të larta. Qytetarët janë të revoltuar, siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga FaxNews ata duan nga shteti jo t’iu çojë sanduiç dhe ujë, por t’i japi rrugëzgjidhje sa më shpejt problemit të tyre.
“Erdhën me autobusa, i lan gjithë policat të kalojnë autobusat të iknin atje. Sikurse presim ne të presin dhe autobusat. Korrupsion është kjo ça bëhet kështu. I lutem Edi Ramës të na japi një zgjidhje, kemi që dje në orën 8 këtu, nuk do kalojmë as për 5 ditë. Nuk është për të qeshur, vërtet na kanë ndihmuar, na kanë shërbyer, na kanë sjellë ujë, na kanë sjellë sanduiç, por nuk është kjo zgjidhja edhe bagëtia ha pot t’i japësh. Ne duam rrugëzgjidhje, ja kjo shoqja jonë bëri serum erdhi ambulance, ka fëmijë, ka pleq. Ju lutem i bëj thirrje Edi Ramës o të mbyllë kufirin o të zgjidhë rrugën, votat I kërkon Edi Rama dhe gjithë fshatarët”.- tha qytetarja.