Pianistja e njohur, Edlira Dedja ka prekur me fjalët për profesorin dhe fizikantin Artan Boriçi i cili ndërroi jetë këtë të premte nga Covid-19.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dedja shkruan se nuk ka fjalë që të përshkojë dhimbjen që ndjen, ndërsa tregon se e ka përjetuar shumë keq kur ka marrë lajmin.
Postimi i plotë:
Nuk dua ta besoj, Artan Boriçi! Nuk kam fjalë per ta shprehur dhimbjen për humbjen tënde të parakohshme dhe të padrejtë ! Nuk kam forcë për të dhënë lamtumirën, miku im, vëllai im, intelektuali dhe shkencëtari i spikatur i vëndit tim, njeriu i mënçur, fisnik e gojëëmbël! Me largimin tënd pa kthim përjetova rëndë humbjen e njeriut të afërm si dhe thërmimin e asaj copëze të artë të kujtimeve më të vyera të fëminisë e gjithë jetës sime! Dita e sotme është e zymtë! E bardhë në pamje, por errët, e ftohtë, e frikshme e mizore në dhimbjen që mbjell papritur… dhimbje që duket sikur i jep një peshë te papërballueshme lajmit të pamëshirshëm, i cili përhapet me shpejtësi : në hapësirë, kohë e zemra miqsh…
Tashmë imazhi i Njeriut të dashur kthehet në hije të së kaluares, thërmohet përpara syve e bëhet transparent; gjallëria e rrugës së dikurshme të Tiranës, ku hapej nje porte miqësore e ku shtrohej një tryezë me aromë vendlindjeje, e humbet papritmas kuptimin e parë ; s’ka më adresë, as emër, as identitet. Anashkalohet rruga pa dëshiren për të kthyer kokën mbrapa edhe një herë të fundit, duke lënë pas saj shijen e vetmisë, brengës, harresës që pergjon prapa çdo kthese…
Papritur, brënda teje rritet gjëmimi i një kuje të egër e gërryese. Imazhi i njeriut të dashur që s’është më pëson një metamorfozë të menjëhershme duke ngritur lart një dhimbje mizore, dhimbjen që njohin vetëm ndarjet, lamtumirat dhe brengat e pashërueshme. Është momenti kur thyhet e shkërmoqet në copa e thërrime kështjella e ëndrrave e kujtimeve të tua ; ështe momenti kur jeta shndërrohet papritur në një melodi të përvajshme, kur të përfshin një rrymë malli, pikëllimi e njëkohësisht shprese per jeten… Vrrulli i dëshpërimit të rrëmben me shpejtësinë e fluturimit të tij të pakapshëm e pas pak çatesh ti e kupton që midis teje dhe Atij, krijohet një humnerë që rritet me shpejtësi të pabesueshme…si në një fluturim të pakapshëm midis dy botëve.
Së bashku me ty, Miku im, humbet e varroset edhe ajo pjesë e brishtë rinisë e fëminisë tonë; varrosen kujtimet e asaj bote ndërtuar së bashku, me vrrullin e ëndrrave dhe fantazisë së shfrenuar fëminore ; botes pa hipokrizi, pa mëri e inate, ku janë ngritur e rrëzuar « kalatë prej rëre », me gëzim e të qeshurat të pafajshme…
Në këto momente, emocionet nuk përshkruhen me fjalë ; as nata e bardhë që kalohet si pa kuptuar me ecejaket në dhomën e ndriçuar nga drita e zbehte… Të rëndon pesha e lotëve që që të zbeh shikimin, që të dobëson mendimet… duart që dridhen…fjalët e pafuqishme e tepër të rënda për të gjetur një nuancë ngushëllimi… Të vijnë ndërmënd tinguj « Requiem »-esh, me shpresën për të rigjetur edhe një herë imazhin e Mikut të humbur… ndoshta magjia e kësaj muzike të përvajtshme të ndihmon të harrohesh, duke të zhytur thellë e më thellë në botën ku nuk ekzistojnë më kufijtë midis reales dhe ireales….
Lamtumirë Artan Boriçi, Mik, Vëlla… lamtumirë e shkuar e lumtur dhe e papërsëritshme! Më fal që s’mundem të ndodhem sot pranë familjes tënde, e cila s’mund të gjejë kurrë më paqe, më fal që s’të ndodhem pranë për të dhënë këtë lamtumirën e fundit ! U prehsh në paqe, Miku im, Vëllai im, Artan Hamit Boriçi!