Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni ka reaguar në lidhje me problematikën e nënshkrimit të kartonit të diplomave për vitet akademike 2017-2018 dhe 2018-2019.
Sipas rektorit ai do të zbatojnë ligjin në mënyrë rigoroze çka do të thotë se nuk do të ketë firmosje të diplomave në qotë se dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, nuk do të përcjellë listat përfundimtare të studentëve të matrikulluar. Me anën e kësaj deklarate duket që rektori i Universitetit të Tiranës po e kalon topin tek dekani, Dhori Kule, duke mos dhënë një zgjidhje përfundimtare si do të veprohet konkretisht.
Deklarata e plotë: Në lidhje me problematikën e krijuar për firmosjen e diplomave, për një numër studentësh të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, tashmë të bërë publike edhe nga media, të cilat, në disa raste kanë keqinterpretuar publikun në lidhje me këtë çështje, në vijim të komunikimit zyrtar, të përsëritur prej disa muajsh, si me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ashtu edhe me Drejtorin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), më në fund, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka kthyer një përgjigje (edhe me këtë shkresë, jeni njohur nga media), dhe ka shprehur qëndrimin e saj, aspak profesional, të njëanshëm dhe krejtësisht në shkelje të ligjit të arsimit të lartë 80/2015 dhe të udhëzimit përkatës të nxjerrë nga ministri përgjegjës për arsimin, në lidhje me këtë çështje.
Sikurse i kam bërë të qartë Ministrit përgjegjës për arsimin, së fundmi, edhe në shkresën nr.1839/2 datë 29.06.2020 (bashkëngjitur), qëndrimi im ndaj këtij problemi kaq të rëndësishëm, mbetet i njëjtë.
Për sa kohë që nga ana e drejtuesit të njësisë kryesore të Fakultetit të Ekonomisë të UT, z.Kule, nuk janë përcjellë listat përfundimtare të studentëve të regjistruar, me të dhënat e tyre për matrikullim (detyrim ligjor ky, siç kanë vepruar të gjithë dekanët e tjerë të fakulteteve të Universitetit të Tiranës, në gjithë këto vite), për vitin akademik 2017-2018, 2018-2019, e bën të pamundur lëshimin e këtyre diplomave nga Universiteti i Tiranës.
Në këto kushte, këto kartona (jo diploma), nuk mund të nënshkruhen nga Rektori i Universitetit të Tiranës.
Në momentin kur në Rektoratin e UT, do të përcillet nga dekani i Fakultetit të Ekonomisë i UT, lista përfundimtare e studentëve të regjistruar, me të dhënat e tyre për matrikullim (për vitin akademik 2017-2018), Rektori do të veprojë në mënyrë të menjëhershme, me nënshkrimin e tyre.
Kjo është e vetmja mënyrë institucionale, e rregullt dhe ligjore, në zbatim të ligjit të arsimit të lartë 80/2015 dhe Udhëzimit përkatës, të nxjerrë nga vetë Ministri përgjegjës për arsimin, të cilën ja kam bërë me dije dhe ja kam kërkuar prej disa muajsh edhe Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Studentët e prekur nga gjithë kjo, dua t’i siguroj edhe një herë, sikurse jam përpjekur për ta bërë këtë gjë në të gjitha komunikimet e mia zyrtare me ta, apo edhe nëpërmjet strukturave përkatëse në Rektoratin e UT, se të gjitha përpjekjet e mia, kanë qëllim vetëm zbatimin e ligjit dhe për të mos cënuar ligjshmërinë dhe vlerën e diplomës së tyre universitare.
Nga ana tjetër, do t’i kërkoja të mos bien pre, as e provokimeve dhe as e keqinterpretimeve të askujt, që përpiqet për ta bërë këtë gjë, sepse, të jeni të sigurtë që shumë shpejt, ligjshmëria dhe e drejta do të triumfojnë.