Natë të pagjumë për të mbajtur vaksinat, kështu e ka konsideruar Edi Rama natën që lamë pas, ku sipas tij qeveria ka bërë luftë që sasia e vaksinave që do të vinte nga Rinasi të mos i jepej ndonjë shteti tjetër.
Sipas Edi Ramës pas situatës në Rinas qëndron Ilir Meta dhe Sali Berisha, ndërsa tha se e gjitha po bëhet që vendi të futet në kaos dhe në rrëmujë, para zgjedhjeve, dhe përpara stërvitjes ushtarake të NATO-s që është parashikuar të mbahet në datën 25 Prill.
RAMA: Jo më larg se dje u bllokua aerporti i vendit, u bllokua ardhja e vaksinave, dhe e gjithë nata ka qenë pagjumë për të luftuar që ta mbanim sasinë e vaksinave që priste aty, se menjëherë mund të shkonte në një shtet tjetër. Është luftë për të mbajtur sasinë atje, dhe më pas të humbisnim një javë 10 ditë, pa vaksina. Pse? Sepse Ilir Meta dhe Sali Berisha janë aty, mbrapa derës, gati për tu rifutur në shtëpinë e secilit dhe për ta bërë nga e para rrumpallë.
Një sulm çmendurak i organizuar për të kthyer kaosin dhe fantazmën e rrëmujës në Shqipëri, duke marrë peng aerportin, duke ndaluar mijëra shqiptarë që donin të niseshin dje, duke ndaluar dhe të vdekurit që të vinin dhe të varroseshin këtu, duke ndaluar dhe të sëmurët dhe paratë, pasi dihet si funksionojnë bankat. Kam pasur denoncim të një qytetari nga Vlora, që më thoshte se kam gruan me tumor, dhe kishte të nesërmen takimin e radhës me mjekët, dhe po të humbte takimin i duhet të priste një muaj pastaj.
A e kuptoni se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta, ka qenë një plan që e kanë menduar me ditë, duke dashur që të na kapin ne gafil. Konotrollorët nuk zëvendësohen dot kollaj, dhe zgjodhën këtë moment që deri në 25 Prill këtu të mos vaksinohej asnjë njeri dhe të shpërthente një revoltë dëshpërimi.
(E.K/Faxweb.al)