AktualitetFlashKryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

Një marrëveshje e re Rama-Basha? Meta: Asnjë shqetësim, i kam bërë të gjitha…

Ndërsa në korridoret politike janë shtuar zërat për një marrëveshje të re Rama-Basha, presidenti Ilir Meta duket i pashqetësuar.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempora” në RTV Ora, Kreu i Shtetit thotë se gjatë gjithë kësaj periudhë ka insistuar përsëri për një bashkëpunim, për një marrëveshje, jo thjesht midis Ramës dhe Bashës, por midis pozitës dhe opozitës.

Por kjo gjë nuk ka ndodhur çuditërisht, shton Meta, pasi të dyja palët kanë vendosur kushte jo të arsyeshme.

Gazetarja: Zoti President, do të ndiheshit vetëm nëse atë ditë Edi Rama do shtrëngonte duart sërish me Lulzim Bashën?

Presidenti Meta: Së pari unë nuk po e kuptoj pyetjen tuaj!

Gazetarja: Sepse po flitet për një marrëveshje mes tyre.

Presidenti Meta: Unë jam përpjekur vazhdimisht për t’i ulur të dyja palët për të bërë marrëveshje sikurse ka qenë rasti i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi nëse mbani mend. Pa ndërhyrjen time të vendosur mendoj që kurrë nuk do të kishte ndodhur dhe askush nuk do të merrte vesh se çfarë ndodhi dhe çfarë nuk ndodhi dhe sot nuk do të kishim rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Unë kam bërë çdo gjë edhe në kohën e kësaj çadrës së famshme për të shmangur atë situatë tepër konfliktuale, që ngjante shumë edhe me këtë situatën e tanishme edhe pse kam palë, kam qenë Kryetar Kuvendi dhe përfaqësues i një force të caktuar, kam bërë çdo gjë. Kam ftuar përfaqësuesit e PE-së, McAlister-in, kam dhënë kontribut maksimal që të ofrohej një paketë që Partia Demokratike të merrte një marrëveshje sa më dinjitoze për të garantuar një integritet të zgjedhjeve.

Më pas kemi pasur një marrëveshje për të cilën prapë kemi insistuar edhe pasi unë jam zgjedhur President, që duhet përsëri marrëveshje se nuk mund të hyhet pa Partinë Demokratike. Sigurisht se ç’lloj marrëveshje ishte ajo këtë e dëshmuan edhe zgjedhjet, pra nuk i shërbeu zgjedhjeve.

Gjithë këtë periudhë kam insistuar përsëri për një bashkëpunim, për një marrëveshje, jo thjesht midis Ramës dhe Bashës, por midis pozitës dhe opozitës dhe kjo gjë nuk ka ndodhur çuditërisht, të dyja palët kanë vendosur kushte jo të arsyeshme.

E para, zoti Rama ka thënë që nuk shtyjmë datën 30 qershor, ndërkohë që opozita kishte dalë nga parlamenti. Atëherë se për çfarë do dialogonte opozita kjo dukej qartë që e bënte të pamundur një dialog real nga pozita të pranueshme. Zoti Basha ka pasur ato kushtet e tij që nuk e njihte, nuk e pranonte zotin Rama, dhe mua kjo më është dukur e papranueshme.

Por ndërsa nuk e shqetëson një marrëveshje e dytë Rama-Basha, Meta thotë se qytetarët shqiptarë janë mjaft të vëmendshëm që çdo marrëveshje në të ardhmen të mos riprodhojë krizë.

Presidenti thotë se qytetarët shqiptarë duhet të marrin në dorë fatin e tyre, duhet të zgjedhin deputetët e tyre, sepse në Shqipëri ka humbur koncepti i zgjedhjes.

Presidenti Meta: Unë, i kam bërë të gjitha përpjekjet e mia dhe do t’i bëj dhe të jeni të sigurt që nuk ekziston një shqetësim i imi në rast se do të ketë një marrëveshje Rama-Basha.

Por absolutisht, që qytetarët shqiptarë janë mjaft të vëmendshëm që çdo marrëveshje në të ardhmen të mos riprodhojë krizë, por të garantojë një reflektim të dy palëve dhe ajo që është më e rëndësishme t’u kthejë atyre sovranitetin.

Qytetarët shqiptarë duhet të marrin në dorë fatin e tyre, duhet të zgjedhin deputetët e tyre, sepse këtu ka humbur koncepti i zgjedhjes, që jo vetëm në vend, por edhe nga mënyra sesi bëhen ato, kur bëhen edhe me kandidatë alternativë, sipas edhe atyre dosjeve problematike, që kanë rrjedhur edhe në mediat e huaja edhe këtu edhe kudo.

Por, edhe brenda partive shohim shumë më pak demokraci, jo vetëm parlamentare, por edhe demokraci partiake. Shohim shumë më pak figura të reja, me personalitet me një lloj pavarësie, të cilët do të ndihmonin shumë që politika shqiptare të kishte sa më shumë ngjyra, të ishte një politikë sa më përfaqësuese dhe të mos mbetej peng i politikave personale.

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *