Vetëm një javë pas hedhjes së shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe zgjedhjes së saj në krye të këtij instituicioni Mirela Fana jep dorëheqjen. Fana është gjithashtu anëtare e Gjykatës së Lartë.
Ditën e sotme ajo ka dhënë dorëheqjen te Zaganjori, kreu i kësaj gjykate, raporton një e përditshme.
Nuk dihen ende arsyet e kësaj dorëheqjeje, por ajo vjen ditën kur mbaron afati i dorëzimeve të formularëve të vetingut në ILDKP.
Nuk dihet si do të reflektohet kjo dorëheqje te vazhdimi i procesit së Reformës në Drejtësi.
Karriera e saj:
Zj. Fana ka ushtruar detyrën e hetueses pranë Hetuesisë së Rrethit të Mirditës, në periudhën 1988-1991.
Nga vitet 1991-1992 ka ushtruar detyrën e Ndihmës /Gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në periudhën 1992-1995 ka ushtruar detyrën e prokurores në seksionin gjyqësor në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Nga viti 1995 deri në 1996 ka ushtruar funksionin e inspektores në Drejtorinë e Ligjshmërisë pranë Gjykatës së Kasacionit Tiranë.
Znj. Fana ka qenë Gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nga viti 1996 deri më datë 23.04.2009.
Nga14 prill 2009 Fana është emëruar anëtare e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
(E.K/SHUPLAKA)