Kanë nisur punimet për ndërtimin e Bypassi-t të Tepelenës. Në hapjen e punimeve kryeministri Rama ka thënë se kjo vepër është shumë e rëndësishme për aksin kombëtar nga Fieri, në Gjirokastër dhe Kakavijë.
Por gjithashtu sipas tij, ndërtimi i tij do ta kthejë edhe Tepelenën në një atraksion turistik. Kryeministri theksoi se Bypass-i i Tepelenës do të jetë gati për sezonin e ardhshëm turistik.
“Çelim një kantier të një rëndësie strategjike për gjithë aksin kombëtar nga Fieri në Gjirokastër e Kakavijë, por edhe për zhvillimin e rëndësishëm të Tepelenës që është në një proces transformimi tërësor pas dekadash të tëra harrese e braktisje ku askush nuk ndalonte në Tepelenë dhe të gjithë kërkonin të iknin nga Tepelena. Sot çelim kantierin për Bypass-in, një vepër e përfolur për dekada të tëra dhe pjesë e historisë së trishtueshme të Baipass-eve, që mjafton të kujtojmë se sa kohë dhe sa energji janë harxhuar në përpjekjen e dështuar për të ndërtuar bypass-e.
U detyruam t’i anulojmë kontratat abuzive, pasi i rishikuam krejtësisht projektet dhe pastaj rimodeluam skemën e financimit të tyre.
Në fillim të gushtit hapen ofertat dhe jemi besimplotë që në tetor do të nisë puna për të mos u ndalur më. Bypass-i i Fierit do të jetë gati për sezonin e ardhshëm turistik, kurse ai i Vlorës do të vonojë pak në kohë. Ka filluar dhe bypass-i i Milotit për rrugën e re Milot-Balldren.
Bypass-i e Tepelenës ka një plan që parashikonte. Qeveria paraardhëse mori përsipër të gjitha rrugët dhe të gjitha i la rrugëve. Rruga Tiranë-Elbasan u hap me një tunel një kalim me bujë dhe më pas u ekspozua ndaj shembjeve duke na vënë në detyrim të bënim komplet projektin gjeologjik, një gjë e pabesueshme jo për një shtet, por edhe për një familje”, tha Rama. (B.H/Faxweb)