Përmendorja në Parkun e Liqenit, për të rënët në mbrojtje të Erdoganit e ngritur ditën e sotme nga Bashkia e Tiranës, duket se ka tërhequr shumë vëmendjen e opinionit publik. Përshtypja qëndron jo vetëm për ngritjen e një objekti për të cilin nuk duket lidhja që ka me Shqipërinë, por edhe për mënyrën sesi u mbajt ceremonia inaguruese e tij pa shpallje publike të aktivitetit në asnjë nga faqet e Bashkisë Tiranë.
Një ndër zërat e shumtë kritik kundrejt kësaj situate është edhe gazetarja investigative Arbana Xharra. Sipas gazetares, ngritja e përmendores është një maskaradë e shtetit shqiptar.
“Le ta dijë gjithë bota mbarë, se ky shtet s’mund të jetë shqiptar!”, shprehet Xharra ndërsa shton se gjesti i sotëm është kulmi i turpit për çdo person kudo që ndodhet.
Kujtojmë se, Shqipëria është vendi i parë dhe i vetëm në botë që i ngre memorial viktimave të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi. Po ashtu, ky është i vetmi memorial që ngrihet për një shkak të tillë dhe në vendin tonë nuk ekziston asnjë memorial i ngjashëm për asnjë vend tjetër në botë.
Reagimi i plotë i Arbana Xharras:
Shqipëria është bërë si ato shtëpitë pa të Zot. Si ato që popullohet nga qentë endacakë që ikin prej njerëzve, si ato zgafellet ku strehohen hajnat dhe dorasët kur i kërkon policia.
Kjo maskaradë e shtetit shqiptar, duke i ngritur përmendore sistemit tiranik – me qindra mijë të burgosur – të Erdoganit është kulmi i turpit.
Kjo turpëron çdo shqiptar kudo që gjendet e jeton.
Të ishte Fishta gjallë me siguri do ta ndërronte refrenin: le ta dijë gjithë bota mbarë, se ky shtet s’mund të jetë shqiptar!
Jo. Se shqiptarët që e dinë se ç’janë diktaturat, tiranitë, paliria dhe krimi nuk do të lejonin që të bëhet kamare turpi e politikave të huaja e më hiç të atyre që mbi 6 shekuj i mbytën.