SHÇBA njoftoi sot se ka pezulluar nga detyra 7 punonjës së policisë së Krujës, të cilat akuzohen se favorizonin kultivimin e kanabisit, ndërtimeve pa leje, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, por edhe ngacmime seksuale të grave që shkonin në komisariat dhe denonconin burrat për dhunë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Abuzuesit e detyrës 2” janë pezulluar për shpërdorim detyre këtë policë;
– Xhevair Babasi punonjës i Patrullës së Përgjithshme;
– Sabri Danaj ndihmës/specialist për Rendin;
– Muharrem Celami, ndihmës/specialist për Rendin;
– Nuri Sefa ndihmës/specialist për Rendin;
– Kadri Daci ndihmës/specialist për Rendin;
– Dervish Sana ndihmës/specialist për Rendin;
– Fatmir Beqaj punonjës i Patrullës së Përgjithshme.
SHÇBA-ja njofton se është bërë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë së kundraligjshme dhe gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha pranoi kërkesën duke i pezulluar dhe ndaluar daljen jashtë vendit.
Sipas policisë “Shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundraligjshme e këtyre subjekteve është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme, ku veprimet dhe mosveprimet e tyre konsistojnë në favorizime të kultivimit të bimëve narkotike, ndërtimeve pa leje, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos-evidentim të kallëzimeve të personave sipas detyrimeve ligjore, etj. Gjatë hetimeve u sekuestrua një sasi kanabisi dhe u asgjësuan bimë narkotike” thuhet në njoftim.
Këta punonjës policie sipas dosjes hetimore kanë manipuluar ngjarje me plagosje e shkëmbim zjarri si dhe aksidente. Aksidentet me pasoja i kanë raportuar si rrëzime të qytetarëve në trotuar dhe gjithashtu kanë lejuar kultivimin e kanabisit.
Por ajo që është akoma më e rëndë është se dy nga efektivët janë të dyshuar edhe për ngacmime seksuale të grave që kanë denoncuar dhunën e bashkëshortëve në komisariatin e Krujës.