Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetEkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

Nga Jugu deri në Dubai e Maldive, ku do të pushojnë shqiptarët këtë verë?

Në një vit normal, të planifikosh një javë pushimesh verore në minutë të fundit, do të linte pak mundësi zgjedhje dhe një sezon thuajse ‘sold out’. Por ndërsa bota zgjohet nga letargjia e Covid-19, ky sezon po formësohet për të qenë çdo gjë tjetër, veçse normal. Vera e vitit 2021 do të jetë ndryshe nga çdo tjetër. Nga njëra anë, janë udhëtarët që presin më shumë siguri para se të rezervojnë pushimet.

Nga ana tjetër, ofertat për pushime, makina me qira dhe ndoshta produkte të tjera të udhëtimit kanë nisur masivisht, edhe në Shqipëri. Në mbarë botën, përshpejtimi i vaksinimit i ka nxitur njerëzit kohët e fundit të kthejnë vëmendjen drejt planeve të pushimeve verore. Vaksinimi i punonjësve të shërbimeve hotelerike kudo në botë, është një garanci më tepër për nxitjen e rezervimeve.

Ku jemi tani? Vera 2021 zyrtarisht nis në qershor. Tendenca kryesore vijon të jetë Turqia dhe Greqia, por në rritje është parë këtë vit kërkesa për destinacione ekzotike si Dubai, duke marrë shkas nga nisja e fluturimeve direkte me këtë vend. Gjithashtu, janë shtuar edhe oferta që përfshijnë paketa me dy ose më shumë vende ekzotike, si Dubai-Zanzibar, ose Dubai-Maldive.

Agjencitë raportojnë se krahas situatës së pandemisë, Turqia ka shtuar më shumë ofertat, duke iu përshtatur buxheteve të ndryshme. Operatorët turistikë pohojnë se ka gjithnjë zgjedhje ekonomike për ata që nuk u volit një pushim i shtrenjtë, me alternativa rajonale ose resorte me më pak yje. Por, më të preferuarat vijojnë të mbeten ato pushime që mund t’i quajmë “me duar në xhepa”, sidomos për familjet. Shqiptarëve, edhe këtë vit, po u pëlqejnë pushimet gjithëpërfshirëse, sidomos nëse do të udhëtojnë me familjen.

Spanja, Portugalia dhe Malta, që dikur u kthyen në një trend në mesin e destinacioneve, sipas agjencive turistike janë lënë në harresë. Kjo lidhet padyshim me situatën e pandemisë, duke qenë se Europa ka masa më të forta dhe vendime që ende s’kanë qenë të qarta për rihapjen. Megjithatë, destinacionet europiane të turizmit kulturor, vijojnë të jenë të preferuara për çiftet e reja apo grupe shoqërore, duke qenë se janë udhëtime të cilat bëhen vetëm përmes tranzitit.

Në panoramën e verës 2021 nuk lëmë pa përmendur edhe destinacionet ekzotike, për të cilat agjencitë turistike raportojnë rritje në numër, që thuajse është shndërruar në zgjedhjen numër e parë të çifteve të sapomartuara, por jo vetëm.

Dubai, kërkesa në rritje

Nga “Kalemi Travel” raportojnë rritje të kërkesave për udhëtime drejt Dubait. Sipas tyre, dy janë faktorët që kanë nxitur këtë kërkesë. “Fillimisht, ishte vendosja e linjës së udhëtimit direkte drejt këtij destinacioni, që amortizoi kostot e udhëtimit. Ndërkohë, shqiptarët që u provuan aq gjatë nga udhëtimet prej pandemisë, ‘i lejuan vetes’ më në fund edhe një udhëtim pak më të kripur në çmim se sa pushimet standarde të kërkuara”- pohojnë nga zyra e “Kalemi Travel”. Shumica e ofertave variojnë rreth 599 euro për person për 5 ditë.

Kur vjen sezoni i pushimeve, të gjithë mendojnë të zgjedhin një vend me disa karakteristika të veçanta dhe një tjetër destinacion që e përmbush këtë tipar është Egjipti. Vitet e fundit, sipas “VAS Travel” janë ndërtuar resorte të reja moderne dhe është alternativë që zgjidhet kryesisht nga çifte apo të rinj. Këto janë oferta akomodimi jo shumë të përshtatshme për familjarë me fëmijë.

Agjenci të ndryshme ofrojnë paketa për resorte në këtë destinacion, kryesisht me pesë yje e me çmime që nisin nga rreth 550 euro për person.
Egjipti pëlqehet për shumëllojshmërinë e aktiviteteve që mund të kenë atje: Deti i Kuq, barriera koralore, burime natyrore, plazhe pa fund, por edhe Piramidat. Sharm El-Sheikh është një nga destinacionet më të kërkuara. Pjesa më e madhe e ofertave janë “all inclusive” dhe për muajin qershor, çmimet variojnë në 499 euro / 9 net, në korrik shkon në 850 euro.

Nga “Union Travel” pohojnë sërish trendin e udhëtimeve të Dubait, të preferuarin e momentit. “Linja direkte Tiranë – Dubai dhe anasjellas ka nxitur interesin për tregun shqiptar për të vizituar Dubain, por dhe për tregun arab për të ardhur për të vizituar Shqipërinë. Çmimet nisin nga 599 euro Dubai, me grup, ndërsa paketat individuale kanë pasur çmime të tjera në varësi të hotelit”, -pohojnë nga “Union Travel”. Ndërsa për destinacionet e tjera, agjencia thotë se çmimet fillojnë nga 499 euro/personi Antalya; 559 euro/person Bodrumi, 455 euro/personi Sharm el-Sheikh, 425 euro/person Hurghada. Vendet ekzotike si Maldives nisin 1090 euro/person, Korfuzi nga 259 euro/personi etj.

Pandemia shton pasiguritë

Në cilat vende mund të udhëtoni tani? A do të duhet të bëj një test COVID-19 gjatë udhëtimit tim? Sa herë do të duhet të ndryshoj maskën në aeroplan? Ka qenë një rrugë e pamohueshme e vështirë e turizmit botëror por shpresohet që falë hapjes së korridoreve të reja ajrore dhe protokolleve më të mira të testimit, udhëtimet jashtë do të fillojnë të bëhen përsëri më të lehta.

Nga “Matias Travel and Tours” pohojnë se, udhëtimi, natyrisht, nuk do të jetë i njëjtë si dikur, por ndoshta kjo nuk do të jetë një gjë e keqe.
“Qytetet do të jenë më të qeta, Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s nuk do të jenë të mbipopulluara dhe do jetë kohë e mirë për turizëm qytetar. Shqiptarët pyesin për kushtet e udhëtimit, a duhet tamponi etj., por po u pëlqen të vizitojnë një Romë jo aq të populluar si më parë, apo të bëjnë plazhin në Puglia pa turmat e përhershme. Industria e turizmit ka vuajtur masivisht, pandemia na ka dhënë një mësim jetësor por rimëkëmbja po nis të shfaqet”- pohojnë nga agjencia. Pas çdo oferte për pushime jashtë Shqipërisë, të gjithë agjencive turistike u vjen pyetja: Po tampon duhet?

Greqia dhe Turqia, zgjedhjet kryesore

Edhe këtë vit, thuajse e njëjta panoramë, për pushime shqiptarët zgjedhin kryesisht fqinjët grekë dhe ‘vëllezërit’ turq. Greqia zgjidhet për destinacionet e lira, aksesin e shpejtë dhe të afërt dhe sidomos, nga të pasionuarit e aventurës në ishuj të ndryshëm. Por, këtë vit rezervimet për këtë vend kanë mbetur pezull për shkak të pritjes për rihapje të vendit. Sipas agjencive, kanë qenë të shumtë ata që janë interesuar për Greqinë dhe e kanë lënë prenotimin ende pa pagesë, deri në një njoftim final të vendit.

Turqia vijon të pëlqehet për komoditetin e charter-ave të linjës direkte dhe resortet ‘all inclusive’. Madje, agjencitë pohojnë se janë shtuar resortet ekonomike, ndërtime që janë kryesisht të përfunduara këtë vit, në brigje si Kemer, Alania etj. Drejtuesit e agjencisë “Union Travel” thonë se destinacionet më të pëlqyera në Greqi janë: Korfuzi, Halkidhikia e Parga. Afërsia dhe mundësia e arritjes së këtij destinacioni edhe me automjete private e bëjnë më të frekuentuar dhe të prekshëm nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë.

Ofertat për këtë destinacion janë për hotelet me katër e pesë yje, për 5 apo 10 ditë qëndrim. Alternativë tjetër janë pushime në Korfuz, duke filluar nga 320 euro për person në hotele me 4 yje; në Halkidiki, duke filluar nga 220 euro për person, sipas “Union Travel”, të cilat janë destinacione të preferuara ndër vite.

Në Turqi, tre janë destinacionet që kërkohen për shkak të ofertave të shumta: Antalia, Bodrum dhe Alanya. Nga Union Travel bëjnë të ditur se çmimet fillojnë me 550 euro/person dhe arrijnë deri në 1000 euro në disa resorte më të kripura. Shqiptarët në Turqi parapëlqejnë të rezervojnë në resorte me katër e pesë yje dhe me shërbime all apo edhe ultra all inclusive. Antalia është destinacioni kryesor, ndjekur nga Kemeri, Bodrumi e Alania. Koha e qëndrimit llogaritet mesatarisht nga 7 net.

“Për prenotimet e kësaj periudhe, ndryshe nga vite më parë, qershori ka pasur rritje të lehtë të çmimeve. Një paketë për qëndrim në hotel me pesë yje, për 7 ditë, është ofruar me një çmim prej 500/600 euro/person, në një kohë kur dy vite më parë, në të njëjtën periudhë, kjo shifër ishte rreh 400 euro/person”, thonë drejtuesit e agjencisë ATHS.

Paketat ekonomike

Ka oferta ekonomike edhe për buxhete që nuk arrijnë dot destinacione ekzotike. Nga agjencia turistike “Matias Travel” thonë se shumë të rinj por edhe familje me fëmijë të rritur kanë zgjedhur këtë vit të pushojnë në fqinjët tanë grekë ose malazezë.
Përkatësisht bëhet fjalë për udhëtimin Parga – Preveza, në konceptin “all inclusive”, e cila për 4 ditë nis nis me çmimin nga 119 euro/person; 5 ditë nga 149 euro/person; 8 ditë nga 229/personi. Këto janë çmimet e paketave të zgjedhura për muajin qershor dhe korrik, ndërsa në gusht, çmimet priren që të rriten disi.

Koncepti i një pakete të tillë, që preferohet shumë këtë vit, përfshin fjetje “all inclusive” në hotel, mëngjesin, drekën, darkën dhe pije dhe transportin me autobus. Edhe fqinjët malazezë janë të preferuar, të cilët në periudhën qershor-korrik, kanë ofruar çmime ekonomike, krahasuar me dy vite më parë. Në hotele të koncepteve “all inclusive”, çmimet janë 120-200 euro për person për 4 ditë, për fëmijët nën 2 vjeç falas, apo me kosto të reduktuar për ata deri në 12 vjeç.

Turqia, zgjedhja kryesore

Në Turqi janë shtuar ofertat luksoze, të cilat priren që të tërheqin kryesisht turistë potencialë si rusët, por jo në pak raste ka pasur prenotime edhe nga shqiptarët. Bëhet fjalë për hotele luksoze “all inclusive”, mesatarisht 800-1100 euro/person. Krahas zgjedhjeve luksoze, agjencitë turistike këtë vit kanë përfshirë në oferta jo pak resorte ekonomike, me 300-400 euro/person për 5-7 ditë, ndërtime të cilat janë përfunduar këtë vit.

Kroçerat, më pak të kërkuara

Kroçerat, edhe pse jo në masë, pëlqehen veçanërisht nga çiftet e reja që zgjedhin të kalojnë muajin e mjaltit në bordin e anijeve të mëdha. Drejtuesit e agjencisë turistike “Union Travel” thonë se pëlqehen udhëtime që kanë disa destinacione e kryesisht ishujt e Greqisë, që ofrojnë një përvojë të veçantë, e cila mbeti pezull prej pandemisë.

Një tjetër agjenci që ofron paketa turistike me kroçera është edhe ATHS, me destinacione si Italinë, Spanjën, me çmime që fillojnë nga 600-1300 euro, ku përfshihen edhe taksat portale. Këtë vit, kanë qenë udhëtimet më pak të kërkuara.

Delinda Muçollari, agjente kroçerash prej vitesh, thotë për “Monitor”, se kërkesa për kroçera do të nisë të shfaqet pas korrikut, për të arritur në maturim vitin e ardhshëm. Është udhëtim më i gjatë në kohë dhe prenotime nuk ka duke marrë në konsideratë se ka ende pasiguri se ç’mund të ndodhë, pavarësisht se situata duket e përmirësuar. “Këtë vit besoj se fundjavat do të jenë trend, udhëtime të shkurtra me makina personale, kryesisht në rajon. Në lidhje me Shqipërinë, Jugu do të vijojë të jetë destinacion i të rinjve dhe besoj se tashmë kemi mundësi zgjedhjeje” – thotë ajo.

Rajoni, në fundjavë

Në Malin e Zi, paketat ofrojnë çmime të lira në qershor, por shumë të shtrenjta në korrik dhe gusht. Një resort me 4 ose 5 yje në Budva arrin deri në 1000 euro në gusht/çifti. Ndërsa në udhëtimet e fundjavave, të cilat edhe shqiptarët i zgjedhin shumë vitet e fundit, mesatarja ditore shkon në 30 euro për person. Udhëtimi bëhet kryesisht me autobusë ose furgonë, në paketë përfshihet mëngjesi dhe darka, si dhe lëvizja në qytete apo plazhe të ndryshme.

A duhet të përgatitemi për ndryshime?

Aeroporti është vendi i fundit që dëshironi të mësoni në lidhje me një ndryshim të minutës së fundit, karantinë ose kërkesat e vaksinimit për destinacionin tuaj. Propozimi i Bashkimit Europian për të lejuar vizitën e amerikanëve të vaksinuar përfshin brenda tij një dispozitë “frenimi emergjence” që lejon vendet anëtare të kufizojnë ose të ndalojnë udhëtimet sipas nevojës, për shembull.

Udhëtarët mund të ndërmarrin hapa për të qëndruar në krye të situatës, por agjencitë turistike rikujtojnë se, Google Travel ofron informacion në lidhje me kufizimet e udhëtimit me rezultatet e tij të kërkimit dhe u jep përdoruesve mundësinë “Të marrin një email nëse një udhëzim ndryshon”. Gjithashtu, faqja e BE-së riopen.europa.eu ofron informacionin aktual, përfshirë lejimet nëse keni një ndalesë në një vend të tretë.

Greqia heq kufizimet

Greqia ka nisur sezonin e saj turistik, duke hequr shumicën e kufizimeve të mbetura në fuqi deri më tani. Pavarësisht kësaj, çdo ditë në Greqi raportohen mesatarisht 2 mijë raste të reja, ndërsa vijon procesi i vaksinimit. Turistët gjermanë kanë filluar të fluturojnë drejt Greqisë. Nga 17 maji edhe turistët britanikë janë të lirë të udhëtojnë drejt saj, edhe pse këshillohen të mos e bëjnë. Kushdo që kthehet në Angli ose Skoci do të duhet të futet në karantinë për 10 ditë. Vetëm për vendet e “listës së gjelbër”, siç është Portugalia, rregullat do të lehtësohen ndjeshëm.

Greqia ka ende disa kufizime. Por ka ndryshime të mëdha. Tashmë nuk është e nevojshme që qytetarët të dërgojnë mesazh me tekst sa herë dalin nga shtëpia për pazar, lejohet lëvizja midis rajoneve, dhe shtetrrethimi tani është i kufizuar mes orës 00:30 dhe 05:00. Një e pesta e ekonomisë së Greqisë është e varur nga sektori i turizmit dhe 20% e punëtorëve janë të punësuar prej tij. “Ne po hapim industrinë tonë turistike për botën” – njoftoi ministri i Turizmit, Haris Theoharis.

Si do të ndryshojnë zakonet tona të udhëtimit?

Pas muajve të pafund të etheve të mbylljes, besohet se njerëzit do të ketë një “uri” për hapësira. Për shembull, në SHBA, parqet shtetërore dhe kombëtare kanë përjetuar fluks të madh vizitorësh pas bllokimit, dhe prirja mendohet të vazhdojë këtë vit pasi koha e kaluar në natyrë, mendohet të jetë një antidot për jetën moderne urbane. Pushimi, ku udhëtarët fluturojnë në një vend të vetëm dhe më pas kthehen në shtëpi, do të rivalizohet nga një trend në zhvillim për udhëtime që zhvillohen në shumë vende njëkohësisht.

Ndërsa njerëzit mendojnë më me kujdes për mënyrën e udhëtimit, ata do të kërkojnë hotele dhe kompani udhëtimesh që po bëjnë gjithçka që munden për të minimizuar ndikimin e tyre në planet. Ne gjithashtu mund të presim që akreditimi të marrë rëndësi të madhe, pasi konsumatorët kërkojnë siguri nga certifikatat legjitime të “ekoturizmit”. Gjithashtu, pritet që banorët e plazhit të ndërrojnë ‘diellin dhe pina coladas’, për hije dhe ujë kokosi. Edhe nëse vizitorët nuk po udhëtojnë posaçërisht për një përvojë detox ose bootcamp, ata do të dëshirojnë të rezervojnë udhëtime që i lënë ata të ndihen më mirë, se më parë kur të kthehen në shtëpi. Turizmi Wellness do të jetë gjithnjë e më popullor.

Angazhimi me komunitetet lokale në një mënyrë të sigurt dhe të respektueshme do të jetë gjithashtu një aspekt i rëndësishëm i udhëtimeve në të ardhmen, me turistët të etur për të mësuar dhe formuar lidhje njerëzore, pas pandemisë. Më në fund, ndërsa ideja e “festës” fillon të ndihet anakronike, thjesht “të qenit” jashtë do të jetë alternativa e shumë prej nesh. Kjo do të shfaqet në ngritjen e punës jashtë, ku vizitorët ndërthurin punën me pushimet, duke u ngulitur për periudha më të gjata kohore në një vend të caktuar. /Euronews

Lastminute.com: Udhëtoni me zgjuarsi, por rezervoni në minutën e fundit

Megjithëse shifrat e rezervimeve për pushime janë shumë më të ulëta se sa vitin e kaluar, kur shikojmë pjesën e rezervimeve në lastminute.com sipas kohës së duhur, përqindja e rezervimeve që nisen brenda javës është 200% më e lartë se vitin e kaluar, pasi njerëzit vlerësojnë nivelin e rrezikut që lidhet me secilin vendndodhje. Ky mendim “shansi i fundit” mund të ketë ndikim potencialisht pozitiv në industrinë që ecën përpara, me njerëzit që do të përfitojnë nga mundësitë sa më shpejt që ato të shfaqen.

Disa destinacione të BE-së mund të shohin një rritje të vizitorëve në periudha më të pazakonta të vitit, sesa një përqendrim të madh në muajt e verës – Qipro ka pasur më shumë se 50% rritje të popullaritetit që nga tetori i vitit të kaluar, për shembull.
COVID ka pasur një ndikim të rëndë në ekonominë globale, e cila duhet të merret parasysh. Por njerëzit do të vazhdojnë ende me pushime – ata thjesht do të udhëtojnë me zgjuarsi.

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.