Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashOpinione&AnalizaTe FunditTe Gjitha

Nga basketbolli te zbori, lojërat te “Derri”, Petrit Beci: Si e njoha “Dorin e vogël”! Pse ishte ndër të paktët politikanë që kujtohet për…

Nga PETRIT BECI

EDHE UNË E KAM PASUR SHOK “DORIN E VOGËL”. Nuk e kam thënë ndonjëherë publikisht që kam qenë shok me Teodor Kekon apo “Dorin e vogël”, siç e thërrisnim ne shokët e tij, sepse nuk kam pasur nevojë. Këtë e dinë mirë të gjithë bashkëmoshatarët e mi apo të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tavolinave dhe bëmave të moshës e kohës. Dhe mua, kjo më mjafton. Po sot vendosa ta bëj publike shoqërinë dhe miqësinë time me Dorin, që nis në kohën e monizmit, meqenëse kam parë e dëgjuar shumë njerëz gjatë këtyre viteve pluraliste, që pohojnë miqësinë me Dorin pas ndarjes së tij nga jeta, 18 vite më parë.

Të fundit shok të tij e mësova këtë 20 gusht në ditëvdekjen e tij. Dhe për këtë zgjodha 2 shtatorin, që është dita e lindjes së shokut tim të vjetër. E vërteta është që Dori kishte shumë shokë e miq, sepse ishte ekstremisht social. Ndoshta kjo është arsyeja që këta e konsiderojnë të tillë. Sa për mua, ndryshe nga këta, unë u përkas atyre që kanë qenë shokë të afërt me të në periudhën e adoleshencës dhe rinisë, atëherë kur njeriu formohet dhe tregon vlerat apo antivlerat e tij.

Ndaj, duke medituar mbi këtë gjë, thashë me vete… prit ore, dreqi e mori, se dhe ne të tjerët e kemi njohur dhe kemi ndenjur me të. Ne jemi njohur kur unë isha në vitin e dytë e ai në vitin e parë të gjimnazit “Qemal Stafa”. Dhe ka qenë oborri i brendshëm i kësaj shkolle, vendi ku jemi njohur sepse në atë kohë unë luaja basketboll me paratërinjtë e ekipit të “Tironës”, në atë kohë “17 Nëntori”, me trajner prof. Serxhon, i cili ishte ndërkohë dhe mësues i Edukimit Fizik në gjimnazin tonë.

3Për këtë arsye dhe për arsyen që në atë kohë luhej shumë me top, në çdo orar pushimi dhe sa herë që na mungonte ndonjë zyshë apo profesor, ne luanim te fusha e basketbollit. Pikërisht një prej këtyre ditëve, mbaj mend që në një moment të lojës bëj të marr topin jashtë vijave kufizuese, por atë e kap dhe ma afron një çun i vogël e i imët, i cili më thotë: “M’i jep një xhiro këto mbathjet”.

Nuk di pse i bënë përshtypje mbathjet e mia të errëta, ndoshta se ishin më shumë të dala boje. I them: “T’i jap mbasdite” dhe më tha: “Dakord, unë e kam shtëpinë te Kafe ‘Flora’. Takohemi atje”. Shkova mbasdite pa ndonjë shpresë se do dilte, por çuditërisht ai po më priste. U takuam, prezantuam, kujtuam batutat e paradrekes dhe qeshëm me faktin që edhe një palë mbathje të dala boje mund t’i njohin njerëzit. Kështu e kujtoj unë njohjen me Teodor Kekon, që më pas u lidhëm shumë njëri me tjetrin dhe u bëmë miq e shokë të afërt, të paktën nja 10-12 vjet.

Megjithatë, unë mendoj se ajo që na bashkoi të dyve, para se gjithash ishte fakti që ishim tifozë të çmendur të Italisë, aq sa ai më thërriste mua Giancarlo, sepse isha tifoz i Antognionit, kurse unë më vonë, kur ai la mustaqe, e thërrisja Xakareli. Kaq të dhënë ishim pas futbollit italian, sa në diskutimet me çunat para e pas ndeshjeve të futbollit, të dy bashkë përballonim debate pafund me tifozët që ishin me Anglinë, Gjermaninë apo Holandën sepse kishim shumë informacion, pasi lexonim revistat italiane mbi futbollin që vinin në Shqipëri e që i siguronim nga një burim brenda institucioneve të sportit, që na i jepte fshehurazi.

Duket e pabesueshme, po në atë kohë ne njihnim të gjithë lojtarët e Serisë A. Pa folur pastaj që shumicën e ndeshjeve të ekipit italian i kemi parë bashkë, edhe ato eliminatore, edhe ato të Kampionateve Botërore të 1978, 1982 që Italia doli kampion bote apo dhe ato të Europianit të 1980. Nuk mund të ndodhte ndryshe edhe në finalen e Botërorit të ’82-shit. E kemi parë bashkë pasi erdha qëllimisht nga Durrësi, ku isha me xhirimet e një filmi dhe kemi festuar si të çmendur e i kemi çarë kokën gjithë lagjes te Kafe “Flora”.

Dori ishte i papërmbajtshëm e në një eufori të paimagjinueshme. Në fund të fundit, ky ishte argëtimi kryesor që kishim si të rinj në atë kohë. Por, e vërteta është se ai në ato vite ka qenë protagonist dhe epiqendër si në shkollë, ashtu dhe në aktivitetet e ndryshme artistike e sportive, apo dhe në zbore e aksione. Që vitin e parë të gjimnazit, Dori veçonte nga të tjerët se… Realisht ishte shumë i talentuar, pasi shkruante poezi dhe prozë. Kishte një memorie patologjike dhe ishte në gjendje të bënte analizën e një libri, që ne të tjerët as ia thoshim fare në atë fushë. Mbi të gjitha, shquhej për argumentet logjike, ato argumente të cilat vite më vonë i shpalosi jo vetëm në letërsinë që shkroi, por dhe në angazhimin politik, qoftë me fjalimet e tij në Parlament, ashtu dhe në intervistat e shkrimet e ndryshme, që për hir të vërtetës, është ndër të paktët politikanë që mbahet mend për gjërat e mençura që thoshte e shkruante.

Asokohe kujtoj se ishte në modë binjakëzimi, ndër të tjera edhe mes shkollave, kështu që edhe gjimnazi “Qemal Stafa” u binjakëzua me gjimnazin “Gjergj Kastrioti” të Durrësit. Kjo do të thoshte që, një herë në vit shkonim ne atje dhe pastaj na kthenin ata vizitën.

Kuptohet, atë ditë nuk bëhej mësim sepse jepeshin shfaqje artistike si teatër, estradë e recitime nga ne dhe ata, si dhe organizoheshin ndeshje sportive mes dy shkollave në futboll, basketboll, volejboll, e deri pingpong, pasi të dyja kishin shumë të talentuar që ishin pjesëtarë të ekipeve të të rinjve e ndonjë edhe me ekipet e të rriturve. Kështu që, ndeshjet ishin shumë cilësore e të luftuara. Më kujtohet që, në një prej këtyre ndeshjeve të basketbollit, e cila u luajt në palestrën e shkollës sonë sepse po binte shumë shi, ajo u mbush si asnjëherë tjetër. Pastaj kujtoj momentin që realizova koshin e parë të ndeshjes të shoqëruar me ulërimën “forca Giancarlo”.

Ktheva kokën, kur ç’të shoh. Dori kishte hipur në majë të shkallareve të gjimnastikës në faqen anësore të palestrës dhe mbante në dorë një parullë ku shkruhej: “Forca Beci vogël”. Fatkeqësisht, atë ditë me gjithë protagonizmin e Dorit që nuk mungoi asnjë çast, u mundëm pasi ekipi i tyre ishte shumë i fortë. Sa për zborin njëmujor që bënim në Picallë të Arbanës, mund të them se ai ishte një personazh sa tragjik, aq dhe komik. Kopsën e sipërme e mbante zbërthyer, armën asnjëherë në krah, por në dorë nga rripi dhe gjithmonë në fund të rreshtit, duke ngacmuar të tjerët me batuta. Absolutisht i vështirë për t’u vënë në rresht. Sot kujtoj gjithashtu që në ato vite kam shkuar disa herë te shtëpia e Dorit, më shumë në periudhën kur prindërit e tij ishin me shërbim si dy kineastë të mëdhenj dhe që unë pata fatin dhe privilegjin e madh më vonë të punoja me ata, kur fillova punë në Kinostudio. Të ishe mik me Xhanon dhe Endrin, nuk ishte pak…

Në një rast, një ditë vere, duhet të ketë qenë viti ’74 ose ’75, isha te Dori gjithë paraditen dhe gjyshja e tij na dha për të ngrënë në drekë. Nuk kaloi shumë dhe në një moment, Dori më tha me zë të ulët: “Ha shpejt Bec, se po u çove i fundit, do ngresh pjatat”… Po ashtu, kujtoj që prindërit e tij kishin një bibliotekë shumë të pasur dhe aty kam marrë shumë libra për të lexuar dhe ndoshta aty ka qenë kontakti im i parë me një skenar filmi, pa e menduar kurrë që vite më vonë do punoja në Kinostudio. E, ndërsa vitet pranë njëritjetrit iknin dhe për mua afruan provimet e Maturës, u kujtova që e vetmja gjë që nuk dija ta bëja shumë mirë ishin hartimet.

Kështu që, iu kërkova dy të talentuarve në këtë fushë, Dorit dhe Edvin Libohovës, të më shkruanin paraprakisht nga një hartim, të cilët të nesërmen më dorëzuan hartimet në formën e prozës poetike e që unë i mësova përmendësh dhe kur erdhi dita, shkrova një variant miks të tyre dhe dola i pari përjashta, ku po më priste Dori. Si tani më kujtohet. Atë ditë shkuam te “Derri” dhe kemi pirë nga një birrë, ku Dori nuk më la të paguaja se kishte lekë pasi kishte shitur shishe e kavanoza, siç bënim të gjithë në atë kohë.

Pjesë e këtyre kujtimeve është dhe ajo e hënë, 45 vjet më parë, kur Dori në oborr të shkollës më la në dorë një copë letër, ku kishte shkruar një vjershë a poezi për mua. Një ditë më parë më kishte parë duke ecur në shi pa çadër. Duhet të kem qenë duke ecur në trotuarin përballë “Derrit”.

Kështu ishte emërtuar nga të rinjtë gjellëtorja thuajse përballë Kafe “Florës”, te Rruga e Durrësit, vendit ku rrinin personazhet e spikatura të kohës, artistë, sportistë e shkencëtarë. Atë kohë, “Derri” u bë i famshëm sepse në ndryshim nga Kafe “Flora”, aty ishin të rinjtë me bisedat e shumëllojshme, debatet e zjarrta, bastet dhe lojërat e ndryshme, ata që i jepnin jetë e emër asaj gjellëtoreje popullore, e cila zëvendësoi si të thuash vendtakimin e të rinjve pas mbylljes së Brodueit te Rruga e Dibrës, në vitet ’73- ’74. Mes tyre ne ishim më të vegjlit, megjithatë Dori shumë shpejt u bë protagonist me më të rriturit, 15-16 vjeç.

Një nga lojërat që mbaj mend ka qenë… nga cepat e tavolinës luanim me lekë, kush fuste kutinë e shkrepëses në një kriko birre, që vihej në mes të tavolinës. Kuptohet, këtë lojë ai e luante mrekullisht. Në mos gaboj, kush e fuste 10 herë rresht, merrte 10 lekë të vjetër ose një krikëll birre, ose një teke konjak apo fërnet. Trotuari i “Derrit”, që ishte me një strehë të madhe e në dimër nuk të kapte as era e as shiu, ishte gjithmonë plot me njerëz, sidomos mbasdite e në darkë, veçanërisht në fundjavë pragndeshjesh.

E mes klientëve të shumtë, figura e Dorit ishte gjithmonë e pranishme dhe për zhurmën që ai krijonte me të folurën e tij me batuta, por dhe me debatet e zjarrta. Është interesante, po kur hyje në atë botë nuk ekzistonte asgjë tjetër dhe të përpinte me orë, sepse nuk ishte kalim kohe, por për kohën ishte kalim kohe aktive. Me pak fjalë, në kohën që unë kam ndenjur me të, mund të them se ai ishte një njeri rebel, jashtë skemave, i dashur, i mençur dhe largpamës i saktë i gjërave që ishin në diskutim. Qëndrimi me Dorin të jepte jo vetëm kënaqësi, por dhe optimizëm për t’i parë fenomenet e jetës pozitivisht…

Sigurisht, dhe në atë rast kur unë kaloja në trotuarin përballë “Derrit”, ai ka qenë aty brenda duke vënë ndonjë bast ose skedinë, shoqëruar me ndonjë teke dhe kuptohet, ka shkruar shpejt e shpejt në tavolinë edhe atë vjershë apo poezi për mua. Shumë vite e ruajta në shtëpi. Pastaj ndodhi që, shumë vite e humbëm njëri-tjetrin, por pesë vjet më parë u rigjetëm dhe unë nxitova ta hedh në kompjuter, pasi kisha frikë mos… Fatkeqësisht, dorëshkrimin e Dorit në atë copë letër, tani që më duhej, nuk munda ta gjej. Por të paktën kam transkriptimin e vjershës apo poezisë së tij për mua, që mbetet një kujtim i bukur imi nga shoqëria me Dorin. Shoqëria jonë vazhdoi shumë e afërt, deri sa dolëm në marrëdhënie pune. Më pas takoheshim më rrallë, deri sa erdhi një moment dhe ajo u bë e afërt përsëri, më shumë në vitet kur takoheshim te Kafe “Europa” e Bar “West” apo “kafja e Fidelit”, siç njihej ndryshe. Kjo, dhe për faktin se ato vite kemi bashkëpunuar.

Atë kohë ai drejtonte gazetën “AKS”, një suplement kulturor i gazetës “Koha Jonë” dhe shpesh botonte shkrime për kinematografinë, të cilat ia çoja unë. Megjithëse prej vitesh Dori nuk është më në jetë e mes nesh, personalisht vazhdoj të ruaj kujtimet më të mira e më të bukura për njeriun pasionant dhe të dashur, me zemër të madhe e të qeshur, të mençur e të talentuar. Kështu e mbaj mend unë, por besoj dhe të gjithë ata që e kanë njohur e kanë pasur fatin të rrinë me Dorin.

Pa dyshim, në letërsi ai ngelet një nga shkrimtarët shqiptarë më ndryshe, të veçantë e të guximshëm, në poezi e prozë, ndërkohë që vepra e tij ngelet e rëndësishme dhe kontribuuese në kulturën shqiptare jo vetëm të dekadës kur krijoi. Së fundi, për mua ai do ngelet gjithmonë në memorie Dori i vogël, i mirë e paqtor i rinisë, që fama e mëvonshme e emrit Teodor Keko si publicist, shkrimtar e politikan nuk e tjetërsoi dhe ndau nga shokët e miqtë e hershëm. I tillë ishte dhe mbeti shoku im i viteve të rinisë, kur në përgjithësi të spikasje ishte dhe e vështirë, por edhe disi e pamundur.

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *