“Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale, brenda vendit,”-do thoshte Faik Konica në vitin 1901 referuar elitës shqiptare.
Mëngjesin e 12-shkurtit, paralelisht në të njëjtën orë, nga njëra anë artistët e Teatrit, nga ana tjetër pedagogët e Universitetit të Tiranës, dolën para mediave për të folur për kauzat e tyre.
Dy ngjarje që kanë nisur prej ditësh. Artistët e Teatrit kundërshtojnë ndryshimet në ligjin “Për artin dhe kulturën”. Përveç zhvendosjes së Teatrit Kombëtar, artistët janë kundër varësisë nga Ministria e Kulturës. Sipas këtyre ndryshimeve parashikohet se edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë do jetë në duart e Kumbaros.
Ata nuk janë lejuar sot të hyjnë në ambientet e Teatrit, për të zhvilluar konferencën me mediat. Bashkë me artistët e Teatrit kanë qenë dhe grupe artistësh nga teatrot e rretheve të cilët preken direkt nga këto ndryshime.
Artisti i Popullit, Bujar Asqeriu, ka shpërthyer sot. Ai ka folur hapur për gjendjen e teatrit dhe artit në Shqipëri.
‘’Si duket refleksionet që vijnë nga qeveria dhe nga ministria janë të vakta dhe se kuptojnë çdo të thotë të jesh artist. Artisti më i mirë merr një rrogë sa nëpunësja më e ulët e shtetit. Zoti i paftë ata që vjedhin. Nga jeta ikën artistët më të njohur dhe askush nuk u kujdes për ta, askush nuk u kujtua për ta, askush nuk e çau trapin për ta. Bujar Lako jetonte në një dhomë 50 metra katror, kurse qeveritarët tanë kanë vila nga 5 milionë dhe 10 milionë euro.”-tha Asqeriu.
Ndërkohë në të njëjtën orë, pedagogët e UT-së, organizuan një takim për lirinë akademike. Pas shuplakës së Bujar Asqeriut, qeverisë socialiste i vjen një tjetër deklaratë e fortë nga pedagogët, të cilët ende nuk kanë marrë rrogat e janarit.
Mark Marku, shef i Departamentit të Gazetarisë, tha se kushtet e mësimdhënies janë të prapambetura. Ai theksoi se universitetet nuk kanë bazën materiale për të kryer provimet.
“Të gjithë e dinë sa i kemi rrogat. S’kemi baza materiale për të zhvilluar provimet. Vazhdojmë bëjmë ende mësim me shkumës.”-u shpreh Marku.
Një nga pedagogët, që mori fjalën pas Markut, tha se nëse mosdhënia e rrogave është me qëllimin për të nënshtruar pedagogët, atëherë siguroi qeverinë se nuk i ka bërë mirë llogaritë.
Në fund të takimit ata kërkuan rritje pagash dhe dorëheqjen e bordit të administrimit të UT-së.
Përse po i bëhet kjo reprezalje elitës shqiptare ?
Qeveria e Edi Ramës, që njihet për telekonferenca dhe transmetime full HD, nuk ka arritur ende të zëvendësojë shkumësat nëpër universitete. Qeveria e socialistëve që ka një platformë të dedikuar për bashkëqeverisjen me popullin, nuk ka bërë ende transparencë me atë që do të ndodhë me Teatrin Kombëtar.
Ministrja e Arsimit dhe ajo e Kulturës, Mirela Kumbaro janë munduar t’i kalojnë në heshtje këto dy probleme që kanë kapur institucionet që drejtojnë.
Ministrja Lindita Nikolla, të premten kërkoi ndjesë për rrogat e pedagogëve, por nuk u zgjat për të treguar arsyet e këtyre vonesave.
“Është një axhustim i nevojshëm që vjen përmes Ligjit të ri të Arsimit të Lartë që ofron më shumë autonomi financiare për universitetet, duke vendosur që çdo buxhet që mbetet në fund të vitit të trashëgohet në vitin pasardhës buxhetor.”-tha Nikolla.
Ndërsa Mirela Kumbaro, nga Korça, tha se aktorët nuk kanë arritur të kuptojnë çështjen e zhvendosjes.
Kemi parashikuar javën që vjen një tryezë për këtë draft dhe nëse ka kërkesa për tryeza të tjera jemi të gatshëm për t’i diskutuar dhe shpjeguar draftin i cili nuk është lexuar dhe ka keqkuptime. Duhet t’i takoj artistët pasi para se të kuptojmë çfarë kërkojnë, duhet të kuptojnë ata çfarë ofron drafti”, deklaroi Kumbaro.
Në këtë situatë kur elitat ngrejnë shqetësime kaq të forta si vonesat e rrogave, mungesë të mjeteve, mungesë transparence, ndryshime për të kaluar çdo kompetencë në një dorë, ia vlen të ngrihet pyetja: A po tentohet të nënshtrohet elita e këtij vendi me mungesën e kushteve apo investimeve?!
Fjola Graçi- Faxweb