Në pallatin e panaireve në Genova u zhvillua sot ceremonia shtetërore për 18 nga viktimat e shembjes së urës “Morandi”. Mes viktimave ishin edhe trupat e dy të rinjve shqiptarë Marjus Djerri 28- vjeç dhe Admir Bokrina 32 vjeç.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe familjarët e tyre. Siç shkruajnë mediat italiane nëna dhe daja e Admirit kanë kërkuar drejtësi për humbjen tragjike.
“Djali im do të punonte. Isha në Shqipëri dhe dëgjova në televizor për rrëzimin e urës Morandi. Si mund ta imagjinoja që edhe ai kishte rënë me të? Mbërrita menjëherë. E kisha dëgjuar një ditë më parë. Ai jetonte këtu, punonte shkonte në Rapallo, ishte me gruan e tij gjysmë orë më parë. Ajo e telefonoi më pas telefoni ishte i fikur. Tani kërkojmë drejtësi”, tha nëna e tij me lot në sy, shkruajnë mediat italiane.
Daja e Admirit vlerësoi prezencën e ministrave dhe Presidentit, i cili ashtu si edhe nëna e tij kërkoi hetim dhe drejtësi për 43 viktimat e tragjedisë në Genova.
“Prania e ministrave është shumë e rëndësishme. Ata po hetojnë dhe më vonë do të shohim rezultatet. Jemi të nxehur sepse kemi humbur një të afërm. Shpresojmë dhe besojmë që do të vendoset drejtësia. Presidenti i Republikës Mattarella na ngushëlloi, na u bë qejfi nga prania e tij, por nuk mjafton vetëm kjo, duhen rezultate. Jo vetëm për Admirin por për të gjithë viktimat”, tha daja e Admirit.
(J.D/Faxweb.al)