A po sakrifikohet këtë herë procesi i integrimit të Shqipërisë nga mosmarrëveshjet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut?!
Të pyetur në lidhje me këtë proces jetik për vendin, Komisioneri Evropian për Zgjerimin Oliver Varhelyi është shprehur më i matur duke folur dhe për ‘diplomacinë e heshtur’ që po zhvillohet në korridoret e Brukselit në lidhje me këtë çështje ndërsa ka folur se ky muaj apo ky vit do të jetë kritik dhe vendimtar për çeljen e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë:
“Ashtu siç ju thashë ky është muaj kritik, është qershori i këtyre vendimeve dhe po punojmë vërtet fort dhe prapa kuintave është periudha e diplomacisë së heshtur që ne të gjejmë zgjidhje, Presidenca është e angazhuar për të gjendur zgjidhje por është ende shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë. Edhe ne duam që kjo gjë të ndodhë”, u shpreh Varhelyi.
Ndërsa kryeministri Rama e ka cilësuar jo sakrificë mbetjen pezull të një procesi që pritej prej së paku 3 vitesh nga Shqipëria. Sipas tij qeveria shqiptare i ka bërë mirë ‘detyrat e shtëpisë’, ndërsa në çdo rast do të vijohet me reformat dhe punët të cilët e çojnë vendin në standardin e vendeve të BE-së. Ai gjithashtu nuk ka lënë pa i kujtuar unionit se kjo pyetje duhet të marrë dikur përgjigje, por se do të pritet përfundimi i takimit të KiE që do të mbahet në 22 qershor të këtij viti
“Përgjigja ime mbetet po ajo që ka qenë, ne e para ka rëndësi që detyrat tona ti bëjmë plotësisht sepse nuk i bëjmë sepse na i kërkon Brukseli Berlini Parisi apo Haga por sepse na i kërkon detyrimi ndaj fëmijëve tanë dhe brezave tanë. Detyrat e shtëpisë të integrimit evropian janë rruga për të modernizuar shtetin tonë. Janë rruga për ta bërë Shqipërinë evropiane në sistemin e drejtësisë, të institucioneve të mirëqeverisjes dhe shërbimit si dhe sistemit demokratik në çdo element. BE na ka thënë prej 3 vitesh që detyrat i kemi bërë dhe i ka thënë Këshillit Evropian të hapë më tutje fazat e tjera të procesit. KiE ka pasur arsyet e veta që nuk kanë lidhje me ne pavarësisht se ata kanë thënë jo, sot nuk ka kontestim, por miqtë e mi ky është një rast tjetër për të mësuar mbi Evropën dhe futjen në familjen e saj. Ka një ngërç mes Bullgarisë dhe MV dhe mënyra se si funksionin sistemi, kërkon që ky ngërç të zgjidhet para se të nisë procesi. Ne nuk kemi asnjë shqetësim për të thënë se ne po sakrifikohemi, sepse ne jemi me BE për të vazhduar punën dhe përmirësuar jetën e shqiptarëve. Ka një pyetje legjitime se kur vazhdon kjo, por kësaj pyetje nuk po ia kërkojmë përgjigjen sot dhe të shohim mbledhjen e Këshillit dhe prapë këtu do të jemi”, u shpreh kryeministri shqiptar.