Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla sëbashku me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe me Ministren e Arsimit Evis Kushi zhvilluan një takim me të rinjtë në kuadër të Fressh Voice. Ndryshe nga herët e tjera, Balla tashmë i ftoi të rinjtë në një sfidë edhe më të madhe, të garojnë e të bëhen pjesë e skuadrës kombëtare të PS në zgjedhjet e 25 Prillit.
‘Përfitoj nga rasti t’ju nxis të bëheni pjesë e PS. Ata që realisht kanë energjitë dhe marrin përsipër përgjegjësinë e përfaqësimit, të bëhen pjesë e asaj platforme që ne kemi iniciuar ‘deputeti që duam’.
Është një mundësi që të kontribuosh për të përmirësuar dhe për t’i dhënë energji të reja grupit parlamentar të PS-së pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Nëse mendon realisht që ti mund të japësh një energji të re, nëse mund të përfaqësosh më mirë komunitetin tënd, bëhu pjesë e skuadrës tonë.
Mund të jesh një mjek i ri, një infermiere, një mësuese e nderuar, një emigrant, një intelektual, një sipërmarrës, apo fermer, mund ta fitosh këtë garë. Fressh është themeli i shëndoshë i organizimit tonë elektoral dhe unë dua që gara juaj të jetë një garë idesh dhe energjish dhe ekipin që kemi sot këtu shumë shpejt ta dhjetëfishojmë.’
Në vijim të fjalës së tij Balla sqaroi të rinjtë në lidhje me atë që është kthyer në çështjen e ditës, Impianti i Përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan, ku nuk la mangët as sulmet në drejtim të kreut të PD-së.
‘Impianti i përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan ishte i domosdoshëm. Unë, Evisi dhe Kryetari i Bashkisë i kërkonim Kryeministrit vetëm një investim: shërimin nga kanceri të qytetit që mbytej nga tymi i mbetjeve që digjeshin.
Të gjithë qytetarët binin dakord se problemi kryesor i Elbasanit ishin mbetjet urbane. Dhe rastet e kancerit në sistemin e frymëmarrjes shtoheshin çdo ditë. Por Luli nuk dimë nga merr oksigjenin.
Edhe pse Luli u zgjodh deputet i Elbasanit me premtimin që do zgjidhte problemin e plehrave. Problem që nuk e zgjidhi, por vetëm mashtroi. Zallamahia për inceneratorin është vetëm një mashtrim.’
Duke uruar të rinjtë për zgjedhjen e tyre për t’u bërë pjesë e Fresh, Balla nuk la pa ironizuar Metën, si një zgjedhje e gabuar e këtij Forumi:
‘Fressh është një forum që ka një status të rëndësishëm në jetën politike të vendit. Ka prodhuar pafundësisht politikanë, ka bërë edhe ndonjë zgjedhje të gabuar, siç ishte Ilir Meta. Kemi pasur edhe atë kryetar Fresh-i, por edhe në një arë me misra, ka ndonjë kalli që nuk bën. Por përgjithësisht Fressh-i ka nxjerrë djem e vazja të cilët kanë ditur të ecin në rrugën e politikës.’