Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini e ftuar në emisionin Open, ka treguar se pse u pa mundësia e marrjes së vaksinave nga Lindja ndërkohë që më parë ishte hequr si mundësi marrja e vaksinave ruse anti-Covid.
Ajo tha se fluksi i shtuar i infektimeve dhe mos marrja e sasisë së pretenduar nga vaksinat perëndimore hapi mundësitë për kanalet e tjera.
Ndryshimi nuk është 180 gradë, se ishim fokusuar tek vaksinat e BE, siç ishin Pfizer dhe Moderna. Përpjekjet ishin që të vinin sa më shpejt. Por numri i rasteve filloi të ngrihej vrullshëm. Në shkurt patëm një rritje të kurbës. Dhe për këtë, komiteti i ekspertëve gjykuan edhe mundësinë për të hyrë edhe vaksina të tjera në vend. U bë një gjykim i mirë dhe prandaj vendosën të merreshin,” tha Tomini.
Pse është vendim i drejtë dhe pse nuk u bë më parë?
“Më 27 dhjetor filloi dhe vaksinimi në botë, ne ishim në tratativa për marrjen e Pfizer. Në fillim nuk kishim mendje për vaksinat nga Lindja, pasi kishim synim 500 mijë vaksina nga Pfizer. Por kurrë nuk është hequr mundësia për marrjen e vaksinave të tjera. Duke filluar që nga protokollet e vlerësimit, evoluimi përkundrejt një vaksinimi masiv të orienton drejt kanaleve të tjera të komunikimit. Për të ulur intensitetin e madh të infektimit, kërkuam dhe kanale të tjera,” u shpreh ajo.