Ai kishte lindur me një yll në ballë! Rikard Ljarja, i cili frymoi deri në sekondën e fundit si kolosi i ngritur mbi dhjetëra e qindra veprat e tij.
Aktori, skenaristi dhe shkrimtari të cilin e përcollën sot për në banesën e fundit një grusht njerëzish, nuk iku i vetëm. Brohorimat dhe lamtumira e zemrës jehuan nga çdo shtëpi shqiptari, e ndërsa miqtë, bashkëpunëtorët na rikthyen dhe njëherë tek ai, Komisari i dritës në një kohë të errët për kinematografinë shqiptare.
Petrit Beci, një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Rikard Ljarjës rikthehet dhe njëherë 40 vjet më parë, kur e nisi punën e tij shkallë- shkallë deri në drejtimin e Kinostudios ‘Shqipëria e Re’ për të risjellë një nga figurat më komplekse të artit shqiptar…
Breza të tërë e kanë njohur Rikard Ljajrën në fillim si ‘Komisari i Dritës’, e më pas si ‘Deda’ e më pas çdo vit ai personifikohej me një nga dhjetëra personazhet e tij. Ju si e keni njohur?
E kam njohur 40 vjet përpara kur fillova punë në Kinostudion ‘Shqipëria e Re’. Normalisht Rikardi ishte një personazh me te cilin brezi im ishte rritur sepse ai ishte shume i afirmuar si aktor e ne fakt ne brezin e vet ishte ndoshta me i dashuri për publikun. E gjeta si një regjisor qe kishte realizuar 3- 4 filma fillimisht si bashkëautor me Sajmir Kumbaron tek ‘Rrugicat që kërkonin diell’ dhe tek ‘Ilegalët’. Kishte bërë vetë dhe ‘Radiostacionin’ dhe ‘Në pyjet me borë ka jetë’.
Si shkodranë që ishim që ditët e para të punës time patëm një marrëdhënie të afërme edhe pse nga njëra degë e origjinës time dhe nga origjina e tij ishim nga i njëjti vend, nga Kraja. Rikardi mu afrua dhe përveç marrëdhenies miqësore filloi dhe ajo profesionale sidomos pas vitit 1984 kur filloi karriera ime ne kinostudio shkallë- shkallë. Ne rrinim me orë në zyrën time duke diskutuar për shumë gjëra sepse nga ai vetëm mund të përfitoje. Një burrë me një formim të gjithanshëm me një kulture shumë të gjerë të trashëguar e të formuar vetë. Ai ishte lexues i jashtëzakonshëm , muzikant, piktor, pra përveç profesionit te vet aktor- regjisor- skenarist. Kam pasur fatin te njoh te babain e vet zotin Karlo, një burrë me formim perëndimor që pa dyshim kishte ndikuar ne formimin e te birit përveç talentit që Rikardi e kishte të lindur.
Më kujtohet një episod i veçantë shkuam në premierën e filmit ‘Kur hapen dyert e jetës në Shkodër. Morëm dhe kompozitorin e filmit dhe një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Rikardit, Zef Çobën.
Kur hymë në sallën e kinemasë dhe do dilnim përpara dhe do bënim dhe një diskutim të kërkuar nga vetë publiku që çuditërisht ishin te gjithë brezi i ri studentësh e gjimnazistësh . Kur hymë në sallë publiku u ngrit në këmbë e për disa minuta duartrokiste dhe brohoriste duke thirrur në emër Rikard Ljarja sa të gjithë mbetëm te shtangur, ndërsa ai vetë u përlot. Pasi u ulem e pyeta: Karlo (sepse unë kështu i thërrisja) ca bëhet kështu? Si ka mundësi që të njohin kaq shumë?! Dhe ai me modestinë e tepruar më thotë: Çudi e madhe, po të ma tregonin nuk do e besoja. Pastaj vazhdoi konferenca me pyetje nga të rinjtë përreth një orë para se të fillonte filmi. Më kishte qëlluar shpesh të shihja popullaritetin e aktorëve me të cilët punoja dhe rrija por kështu nuk më kishte ndodhur dhe nuk kam për ta harruar kurrë.
Ai ishte muzikant, shkrimtar, regjisor e aktor por mund të themi që brezat e pas ’90-s pak e kanë njohur krijimtarinë e tij. Çfarë nuk shkoi siç duhet në post komunizëm me karrierën e një prej artistëve më brilantë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare?
Ne ishim bashkëudhëtarë se bashku me të gjithë kineastet deri nga fundi i viteve 90. Me ndryshimin e sistemit kuptohet që numri i filmave që prodhohej ra ndjeshëm sepse shteti përveç faktit që në diktaturë prodhimi i madh prej 14 filmash artistikë, 40 dokumentarëve, 16 filmave vizatimore në një vit ishte shumë i madh për arsyet që dihet e janë thënë shpesh herë në këto 30 vjet. Kështu qe prodhimi ra ndjeshëm ne 3-4 filma ne vit deri sa ndryshoi dhe organizimi i prodhimit te filmit nga prodhimi i centralizuar ne kinostudio ne prodhimin me financim te projekteve nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Për këtë arsye një pjese e mirë e kineastëve përfshi dhe regjisorët filluan të merren me gjëra të tjera: televizion, mësimdhënie etj. Rikardi filloi punë ne RTSH.
Ai dhe shkruante duke shpalosur te gjithë formimin e vet kulturor e artistik e jetësor sepse ishte një person shume i shoqërueshëm ,i diskutimeve të qeta për të gjitha problemet e fushat e jetës. Rrinte me ore në tavolinë me miq e shokë dhe rrezatonte vetëm mirësi dhe sens pozitiv tek njerëzit. Kurrë se kam dëgjuar të thotë një fjalë negative për dikë, vetëm analizë të fenomenit apo personit me argumente që vinin nga informacioni shumë i madh që kishte si lexues, shikues e dëgjues ekselent.
Mes miqsh janë të pafundme batutat për të e në minutat e para të përcjelljes së lajmit se Rikardi na la, dhjetëra mesazhe me kujtime pa fund mbushën rrjetin…
Dhimbja për humbjen e këtij njeriu te mrekullueshëm e këtij artisti të jashtëzakonshëm një nga më të mirët aktorë të kinematografisë në vitet 60-70-80 si dhe një regjisori me vlera të mëdha në filmat që ka prodhuar dhe që kanë lënë gjurme të thella në breza e që dhe sot shihen me endje jo vetëm nga brezat e rritur e që kanë jetuar në atë kohë por dhe nga brezat e rinj. E dhimbja është dhe me e madhe sepse kjo mynxyrë qe po jetojmë nuk na dha mundësinë të përcjellim dot për në banesën e fundit, mikun, shokun dhe bashkëpunëtorin tonë të vyer e të paharruar !
Sot asnjëri nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij nuk mund ta përcjellë drejt Shkodrës, si një përmbushje e amanetit të tij për të pushuar në vendlindje, por a ka një kohë ikjeje për artistët, për Rikard Ljarjën?
Dëgjova e lexova me vëmendje intervistat dhe postimet e shumë artistëve e njerëzve të thjeshtë duke filluar nga shokët e ngushtë si Kumbaro, Milkani, Shanaj, Kapexhiu e të shumë e shumë aktorëve të filmit e të teatrit sepse ai ka punuar dhe në teatrin e Shkodres dhe ka lënë gjurme të mëdha dhe atje. Sot ne i japim lamtumirën e fundit këtij aktori që u rritëm duke e parë, këtij regjisori qe na edukoi dhe frymëzoi me veprat e veta dje këtij miku e shoku e familjari super të përkushtuar qe transmetoi gjithë jetën vetëm vlera te mëdha artistike e profesionale dhe mirësi te jashtëzakonshme njerëzore ! Jam i bindur qe Rikard Ljarja pavarësisht se sot largohet prej nesh ai do te kujtohet përjetësisht sepse ka lënë gjurme te thella ne historinë e artit e kulturës së vendit tone ! Duke u përkulur në mungesë përpara Tij i shpreh ngushëllimet e mija Marjetes dhe fëmijëve e nipave e mbesave te Tij ! I përjetshëm qofte kujtimi yt i dashur Rikard! Faxweb.al