Deputeti i Partisë Socialiste Fidel Ylli, përmes një interviste të dhënë për emisionin ”Aktualitet” të gazetarit Bejdo Malo në FaxNews, foli rreth zonës ku ai pritet që kandidojë në zgjedhjet e ardhshme dhe problematikat që ndeshet komuniteti aty.
Ylli është caktuar nga PS në një zonë të vështirë ku mbizotërojnë dukshëm simpatizantët e të djathtës dhe LSI-së, por që socialisti shprehet i bindur që do ta ndryshojë këtë realitet. Problemet me dritat, ujin dhe infrastrukturën, deputeti i sheh si problematika të krijuara nga qeverisja vendore e demokratëve gjatë 4 mandateve të shkuara.
Fidel Ylli shprehet se në zonën e Bërxullës uji që u shkon në shtëpi fshatarëve është me fekale dhe ai do ta ndryshojë këtë realitet.
“Kam krijuar stafin tim dhe di të gjithë problematikën e zonës. E kam prekur të gjithë zonën, fshat më fshat dhe derë më derë. Kam takuar dhe qytetarë të cilët në zgjedhjet e kaluara kanë votuar Partinë Demokratike, por këtë herë janë të bindur që me stafin që është dhe drejtimin që Edi Rama i ka dhënë Bashkisë së Vorës gjërat do të ndryshojnë. Ne do të fitojmë në Vorë.
Unë di që Bashkinë e Vorës e ka patur Partia Demokratike për 4 mandate dhe Vora është pa ujë, Vora është pa drita dhe Vora është pa infrastructure. Nuk kanë asnjë lloj morali të trokasin në dyert e qytetarëve për të marrë vota kur në 4 mandate nuk kanë bërë asgjë.
Ne mendojmë që do ta ndryshojmë realitetin me gjëra të prekshme, sepse është shumë e tmerrshme të shkosh në shtëpi dhe mos të kesh ujë. Unë po të të tregoj disa video si është uji i Bërxullës, ti nuk mund ta imagjinosh dot del ujë fekalesh në çezmat e shtëpive. Unë nuk mund ta pranoj këtë gjë”, tha Fidel Ylli. (F.M/Faxweb.al)