Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashOpinione&AnalizaTe FunditTe Gjitha

Ndryshimet në Shqipëri: Për të mirë apo për të keqe?

Mons. George Frendo O.P.

Nga pikëpamja materiale, situata në vendin tonë është përmirësuar shumë. Megjithatë, çdo përparim ka sjellur me vetë edhe disa pasoja të padëshiruara. Për shembull, më kujtohet kur një person erdhi këtu në Shqipëri menjëherë pas rënies së komunizmit, dhe më tha: “Në Shqipëri nuk mund t’i drejtohesh një të pasuri dhe t’i thuash: ‘Ndihmoje fqinjin tënd që është i varfër’, sepse nuk ka të pasur”. Sot, përkundrazi, shumë shqiptarë janë pasuruar shumë! Por çfarë ka ndodhur? Është rritur shumë hendeku mes të pasurve dhe të varfërve, dhe shumica e atyre që dymbëdhjetë vjet më parë ishin të varfër, sot janë bërë akoma më të varfër. Kostoja e jetesës ka vazhduar të rritet, ndërsa pagat nuk janë rritur në mënyrë të përpjesëtueshme. Gjithashtu, papunësia është akoma shumë e lartë.

Kur erdha në Shqipëri për herë të parë, për një vizitë të shkurtër, në vitin 1993, kam pyetur një profesor: “A ndjehet shumë këtu problemi i drogës?” M’u përgjigji: “Droga bëhet problem vetëm kur populli është i pasur dhe ka mundësi ta blejë atë. Pra këtu nuk është problem fare”. Por a mund ta themi këtë gjë edhe sot? Sigurisht që jo!

Qeveria demokratike në vitet ’90 kishte filluar tashmë procesin e privatizimit dhe qeveritë e mëvonshme kanë ndjekur të njëjtën politikë. Ky proces ka afruar më tepër Shqipërinë me Evropën Perëndimore, por kjo ka krijuar probleme të reja, mbi të gjitha për më të varfërit. Për shembull, shumë mjekë dhe mësues kanë kaluar në sektorë privatë, duke lënë një boshllëk në sektorët publikë, i cili është sektori më pranë për të gjithë, përfshirë të varfrit.

Kur kam kaluar për herë të parë Krishtlindjet në Shqipëri, m’u kujtua sa shumë, në vendin tim, e qortonim popullin tonë mos të kremtojnë atë festë si viktimë konsumizmi, dhe mendoja se në Shqipëri as kishte nevojë të bëhej fjalë për konsumizem: konsumi i tepërt as që ekzistonte në Shqipëri. Por a mund të mendojmë ashtu sot? Sigurisht që jo! Si vendet e tjera ish-komuniste, e para gjë që ka mësuar nga Evropa perëndimore ishte pikërisht konsumizmi. Amerikani Francis Fukuyama deklaroi që etika e konsumimit ishte pushteti i ri për zgjidhjen e konflikteve ideologjike. Tregjet ishin bërë më tërheqës sesa politikanët; televizori me ngjyra është treguar më i pushtetshëm se Manifesti komunist.

Kapitalizmi demokratik dhe individualizmi dalin mbi çdo ideologji. Dhe këtë e kemi parë të verifikohet edhe në Shqipëri. Pak a shumë të gjithë jemi bërë viktima të këtij mentaliteti, një mentalitet që mendon vetëm për të sotmen, sigurisht jo pse është ndriçuar nga fjala e Jezusit: “Mos u shqetësoni për të nesërmen, se çfarë do të hani…”, por sepse është tërhequr nga filozofia e Oracios: Carpe diem (Gëzoju të sotmes) dhe Quid sit futurum cras, fuge quaerere (Mos kërko çfarë do të bëhet me të nesërmen). Konsumizmi është si një ungjill i ri për njeriun e sotëm. Por njeriu duhet të ungjillëzohet me fjalën e Krishtit, që na kujton se, ndërsa jemi duke ngrënë mirë në një restorant apo në shtëpi, afër nesh është ai i varfëri që quhet Lazër, që dëshiron “të ngihej me dromcat që bien nga tryeza” jonë!

Ende nuk dimë cilat do të jenë pasojat e krizës financiare globale për popullin tonë shqiptar veçanërisht pas krizës së koronavirusit. Sigurisht se kjo krizë do të ketë pasoja edhe për vendin tonë. Faktikisht, tashmë ka shkaktuar një rënie të madhe në turizëm si dhe në import dhe eksport.

“Skamnorët i keni gjithmonë me ju”, na thotë Jezusi edhe sot. Dhe Kisha Katolike, veçanërisht por jo ekskluzivisht nëpërmjet Caritas duhet të dëgjojë, dhe në fakt dëgjon, britmën e të varfërve, britmën e atij të shkreti që quhet Lazër, i cili po kërkon pak dinjitet. Mund të jetë ai rom kundër të cilit ende ka shumë paragjykime, apo ajo grua që rrihet nga burri i saj, ose ai djalë i hedhur në mes të rrugës për të kërkuar pak lekë për të blerë një copë buke… Kushdo që të jetë, fytyra e tij gjithmonë pasqyron fytyrën e Krishtit, i cili edhe sot thotë: “Isha uritur, e më keni dhënë të ha!”

Partitë politike firmosën Marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. A mendoni se Presidenti Meta duhet të dekretojë një datë zgjedhjesh në tetor të këtij viti?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *