Ndotja nga hidrokarburet vijon të mbetet një problem shqetësues për banorët e Zharrëzës. Ata shprehen të indinjuar se kjo situatë vijon prej më shumë se dy dekadash dhe mbetet e pandryshueshme.
“Është shumë shqetësuese për ne, sidomos për fëmijët e vegjël, dalin dhe i mbyt ajri. I kemi fëmijët e sëmurë,edhe ne ngelëm në spitale. Kemi kaq vite. Vetë jam me probleme, vetëm nga ambjenit. Ku të ankohesh? Vjen në darkë nuk rri dot, edhe në mëngjes. Nga ekeqja, i cojmë në spital”- shprehen banorët.
Me fillimin e shirave vihet re rritja e nivelit të sasisë së fluideve hidrokarbure në Përroin e Zharrëzës pas një qetësie disa mujore. Sipas aktivistit mjedisor Saimir Dine , investimi i bërë për rehabilitimin e pikës së dekantimit në Zharrëz ka shkuar dem pasi derdhjet e pakontrolluara vijojnë të jenë të pranishme në përroin e Zharrëzës.
“Po bën më shumë se 6 muaj që nuk ka pasur shkarkime, ndotje ndërsa për lumin në të kaluarën kjo situatë që prej 25 vitesh vazhdon e njëjta, derdhet naftë, fluide,lëndë teknologjike ndërsa ne si banorë e mbajmë mend lumin të pastër, jemi larë edhe vetë kur kemi qënë fëmijë, kjo situatë po bën shumë vite. Edhe dora e institucioneve nuk ka një reagim konkret. Kërkojmë të vënë dorë”-ka thënë ai.
Ndërkohe sipas kreut te shoqates ambientaliste “ Zharreza” Qani Rredhi, ndotja pevecse në zonë shtrihet edhe përgjate vijës lumore duke përfunduar ne det. Përballë kësaj situate është e domosdoshme një ndërhyrje emergjente nga ana e kompanise Albpetrol, e cila edhe pse është e njohur per dëmet shëndetësore dhe mjedisore vijon të heshtë përballë kësaj problematike madhore.