Papa Bouba Diop ka ndërruar jetë në moshën 42-vjeçare pas një sëmundje të rëndë. Ish-lojtari i Premiere League ishte tërhequr në vitin 2013 nga futbolli, ndërsa skuadra e tij e fundit kishte qenë Birmingham City.
Ai po ashtu kishte luajtur për 63 ndeshje për Senegalin, ku ishte njëri ndër yjet më të mëdhenj në Kupën e Botës së vitit 2002.
Mesfushori kishte shënuar golin e vetëm në atë kohë, për të mposhtur Francën që ishte një super fuqi. Senegalezët në atë vit kishin shkuar deri në çerekfinale të Kupës së Botës, ndërsa FIFA ka ngushëlluar familjen e Diop.
“FIFA është e pikëlluar për lajmin se legjenda e Senegalit, Papa Bouba Diop, ka ndërruar jetë. Njëherë hero i Kupës së Botës, gjithmonë hero i Kupës së Botës”, thuhet në telegram ngushëllimi.
Diop kishte një karrierë të pasur në Angli, pasi kishte luajtur për klube si Fulhami, Portsmouthi, West Hami, më pas kaloi te AEK Athens, për të kaluar te Birminghami.