Komandanti i Komandës Mbështetëse, gjeneral brigade Ndriçim Sallaku, ndërroi jetë ditën e djeshme në Turqi, pas infektimit me COVID 19.
Ai ishte i shtruar në spitalin ushtarak GATA në Ankara, por nuk ia doli të fitojë betejën më të rëndësishme të jetës së tij, duke lënë në dhimbje dhe trishtim familjen e tij të ngushtë, por edhe të gjithë brezave që iu përçoi dashurinë për atdheun.
Qeveria turke ka vendosur që të kthejë në atdhe trupin e general Sallakut me një avion ushtarak turk të tipit “Herkules”, i cili pritet që të mbërrijë paraditen e sotme në Rinas.
Ditën e hënë në Tiranë do të bëhen homazhet zyrtare për gjeneral Sallakun, i cili mes shumë detyrave të rëndësishme, kishte shërbyer edhe si atashe i Shqipërisë në Ankara.
Në karrierën e tij ushtarake, përfshihet një listë e gjatë ekperiencash pune, Komandant i Akademisë së Nënoficerëve “Thomson”, Drejtor i Drejtorisë së Logistikës në Shtabin e Përgjithshëm të FA, Oficer Shtabi për Stërvitjen në Shtabin e LANDCOM te NATO-s, Izmir, Turqi, Komandant i Batalionit të transportit, në Brigadën Logjistike, Përgjegjës i Sektorit të Planifikim Logjistik në J4 në SHP të FA.
(E.K/Faxweb.al)