Një konflikt me armë zjarri ka ndodhur ditën e djeshme në Xibër të Klosit në Dibër, ku një person ka vrarë vëllain dhe nipin, më pas edhe veten.
Viktimat janë identifikuar si Kujtim Dakuci, Flogert Dakuci (nipi) dhe Sali Dakuci.
Ditën e sotme, TVKlan ka publikuar foton e Floget Dakuçi, 19-vjeçari që u vra nga xhaxhai i tij Sali Dakuçi. I riu ndërhyri për të ndalur konfliktin mes babait të tij Kujtim Dakuçit dhe xhaxhait. Ky i fundit sulmoi me armë vëllain, Kujtimin, duke e qëlluar me pistoletë pas konfliktit që nisi për gardhin ndarës të dy shtëpive të tyre në fshatin Xibër të Klosit.
Teksa pa xhaxhain që mori armën për të qëlluar babain e tij, Floget Dakuçi ndërhyri në sherrin mes tyre. Për fat të keq, plumbat kapën edhe 19-vjeçarin duke e lënë të vdekur. Sali Dakuçi, pasi vrau vëllain dhe nipin, më pas vrau edhe veten.
Mes dy vëllezërve Dakuçi ka pasur prej vitesh konflikte për pronën. Shkak ishte gardhi ndarës i banesave të tyre, teksa çështja kishte kaluar edhe në procese gjyqësore.