Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas lajmit të ndarjes nga jeta të politikanit të njohur Bashkim Fino. Përmes një postimi, Meta shkruan se ky lajm ka tronditur të gjithë këtë mëngjes, ndërsa shprehet se i ka shkaktuar një dhimbje të madhe.
Meta:
Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes.
Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë!
Ngushëllimet më të ndjera, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona!
Kujtojmë se deputeti socialist është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, duke ndërprerë në mes rrugëtimin e tij politik, ndërsa ishte kandiduar i katërti në listat e qarkut të Fierit për zgjedhjet e 25 Prillit.
Fino ndodhej i shtruar në një spital privat në kryeqytet, por gjendja e tij ishte rënduar shpejt, dhe mjekët e kanë pasur të pamundur që ta mbajnë në jetë politikanin.
Prej vitit 1997 e në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajturpo ashtu disa poste ministrore.
Nga vitit 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit. Ndërsa në periudhën 2004, Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.
|(R.G/Faxweb.al)