Ka humbur jetën mëngjesin e sotëm e ëma e kryeministrit Edi Rama, Aneta, në moshën 82-vjeçare. Për shkak të rrethanave të Covid 19, familja Rama i ka kërkuar të gjithë miqve dhe të afërmve mirëkuptim, dhe se përcjellja e të ndjerës do të bëhet në një ceremoni private.
“Përulësisht u lutemi familjarisht mirëkuptim të gjithë të afërmve e miqve të mirë, për pamundësinë e pritjes së ngushëllimeve e të ceremonisë së përcjelljes së nënës sonë në banesën e fundit, në kushtet e detyrimit për të respektuar rregullat e mbrojtjes së shëndetit të gjithësecilit.
I falenderojmë të gjithë për mesazhet prekëse që vazhdojnë ta na vijnë për humbjen e nënës sonë të shtrenjtë dhe e vlerësojmë shumë respektin e mirëkuptimin e kujtdo që do të donte të ishte edhe fizikisht pranë nesh në këtë ditë të vështirë. Edi dhe Olsi Rama”, thuhet në mesazhin dërguar miqve dhe të afërmve.
Ishte vetë kreu i qeverisë ai që njoftoi mëngjesin e sotëm, për humbjen e madhe në famioljen e tij, me një postim prekës në rrjetet sociale.
”Ishe drita dhe guri këndor i shtëpisë ku u rritëm e u bëmë burra, e ku mbetëm gjithnjë fëmijë. E di, që deri sa të shoh dot diellin e yjet do të jesh me mua, e bukur dhe e fortë si askush. Do të na mungosh shumë, por asgjë më shumë nuk bëje dot për ne sesa e pamundura që bëre plot përkushtim gjithë jetën, prandaj prehu në paqe mam”, shkruante Rama në postimin e tij.
(E.K/Faxweb.al)