Marko Bello, ish-ministri, deputeti dhe diplomati shqiptar i mbylli sytë mbrëmjen e djeshme në Turqi, teksa ndodhej prej disa ditësh i shtruar si pasojë e Covid 19.
Në një lidhje telefonike për Fax news, një nga miqtë e kolegët e tij Namik Dokle ka zbuluar momentet e fundit të Bellos, pa mundur që të linte jashtë dhembjen e madhe që ndjente për humbjen e ish-socialistit.
Sipas Dokles, në ditët e fundit Bello e kishte të vështirë komunikimin me miqtë për shkak të gjendjes së vështirë në të cilën ndodhej shëndeti i tij.
“Diku pas mesnatës dy miqtë e tij më njoftuan se Marko ishte ndarë nga jeta, nuk e përballoi dot këtë Covidcolerë. Ishte lajmi më i trishtë. Marko është nga ata njerëz që i kanë bërë vend vetes, tek ata që e votuan dhe te çdo qytetar që ka mundur ta njohë gjatë karrierës së tij.
Covidi e përcakton shpejt, a të merr apo të lë, kishte disa javë që vuante, dhe nuk ia doli, Me këtë rast dua që të ngushëlloj familjen e tij, bashkëshorten dhe fëmijët, dhe të gjithë ata që e kanë njohur, pasi Markua ishte me një buzëqeshje dhe me një humor që nuk e ka pasur njeri. Sidomos në zonat ku ka qenë i zgjedhur deputet në Berat dhe në Kuçovë, kam parë që njerëzit kanë pasur një mirënjohje të sinqertë ndaj tij, gjë që e konstatoj edhe sot nga mesazhet e shumta për humbjen.
Kemi bërë përpjekje për të folur me të, por ka qenë e pamundur të fliste ditët e fundit. Unë Markon e njoh para se të hynte në Kuvend, pasi karriera e tij ka nisur si gazetar, dhe më pas nisi karrierën diplomatike. Pas kësaj u përfshi në politik si deputet dhe si ministër, unë e kam njohur në plotësi të të gjithë karrierës dhe jetës së tij. Ishte një njeri jokonformist, ku nuk nguronte që të thoshte mendimin e tij qoftë në parlament, qoftë edhe në parti.
Takimin e fundit e kam pasur që në 10 Mars, për shkak se kam qenë shumë i disiplinuar gjithë këto kohë, nuk kam dalë, pasi e ndjej që është një virus i padukshëm që rrezikon jetën e kujtdo. Është një humbje sepse ishte një politikan i kthjellët, i qartë dhe vizionar, por mbi të gjithë është një humbje e madhe për familjen e tij. Gjatë këtyre kohe kemi përcjell miq të tjerë, Moikom Zeqon, Sabit Brokajn, që për fat të keq po bashkohen në jetën tjetër”, u shpreh Dokle.
(E.K/Faxweb.al)