Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë për “EuroNews Albania”.ka komentuar vendimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Ai e krahasoi këtë proces me situatën e krijuar nga pandemia ku shihet se të gjithë janë bashkë dhe kjo gje duhet të aplikohet edhe për procesin e negociatave teksa kritikon klasën politike në vend.
Meta foli edhe për një rrezik që i kanoset Shqipërisë nëse nuk përmbushen detyrat si duhet.
“Shampanjat nuk kanë munguar vitet e kaluara. Ajo që është e rëndësishme është që Bashkimi Evropian arriti konsensusin për një qasje tjetër, e cila është pozitive por është një qasje tepër e rrezikshme në rast se nuk do të përmbushim standardet e kërkuara.
Falë insistimit të Francës, procesi tani do të ecë më shpejt në rast se ne ecim më shpejt për të përmbushur kriteret e Kopenhagënit. Para kësaj qasje na është dhënë mesazhi që rrugën e keni përpara.
Na kanë thënë që keni disa pengesa që i keni tuajat dhe ne ju mbështesim. Rreziku i saj është që ky është një proces i kthyeshëm.
Pra nëse nuk ecni përpara, ju mund të ktheheni pas. Unë shpresoj që të gjithë të reflektojnë për të bashkuar forcat për të përmbushur të gjitha detyrimet në mënyrë të besueshme dhe të bashkuar.
Përderisa integrimi është interes kombëtar për vendin, duhet për këtë çështje siç po punojmë për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme edhe për çështjen e hapjes së negociatave të bëjmë të njëjtën gjë”, tha Meta.