Një nga aktivistët kryesor të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Robert Budina, i ftuar në studion e lajmeve të Faxnews, ka folur rreth 6 akuzave që kanë depozituar ditën e sotme në SPAK , për atë që ai e quan krimi shtetëror i shembjes së Teatrit Kombëtar.
Budina thotë se ata kanë të dokumentuar dhe filmuar çdo gjë, që nga drejtimi i armëve mbi ta e deri tek korrupsioni galopant, ndaj Prokuroria e Posaçme duhet të veprojë dhe të tregojë nëse Reforma në Drejtësi është vërtet reale. Gjithashtu ai shton se nuk e kupton reagimin e vakët të ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, i cili duhet të ishte në mbrojtje të trashëgimisë kulturore njësoj si homologu gjerman dhe anglez në Shqipëri.
“Sot ishim për të dorëzuar një kërkesë e cila iu drejtua SPAK-ut dhe ambasadorit të BE-së Soreca dhe ambasadores Yuri Kim. Dihet investimi i këtyre partnerëve ndërkombëtarë për reformën në drejtësi, rreth 100 milionë euro, ndaj ne e shohim të arsyeshme që çështja e teatrit të jetë një pikënisje e mirë për Reformën në Drejtësi. Gjithsej ne kemi bërë 6 kallëzime në SPAK, ku e vetmja përgjigje që kemi marrë është një letër që thotë se dy kallëzimet e para janë bashkuar në 1 dhe hetimet po vazhdojnë akoma. Çfarë bënin forcat Renea atë natë në teatër? Pse na u drejtuan armët? Ne i kemi të gjitha të filmuara, nuk e kuptoj pse nuk vepron Prokuroria e Posaçme.
Vetëm dy ambasadorë reaguan, ai gjerman dhe ai anglez, ndërsa është shumë e çuditshme mosreagimi i ambasadorit të Bashkimit Europian, i cili bëri thjesht një deklaratë të vakët. Kë do hetojnë prokurorët nëse nuk hetojnë një ngjarje të tillë ku ne kemi goditur me dokumenta korrupsionin galopant të qeverisë.”- tha Robert Budina.