Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i është përgjigjur pretendimeve të deputetit Myslim Murrizi, sipas të cilit drafti për Reformën Zgjedhore është i njëanshëm dhe pazari i radhës mes Bashës dhe Ramës. Ruçi tha se drafti i Reformës është bërë pas konsultimeve me bazë të gjerë.
“Kam mbi 15 ditë që e kam njoftuar komisionin që i përfundon afati, por kjo nuk do të thotë që ne të anatemojmë deputetët e mazhorancës që kanë prurë një produkt të një konsultimi me bazë të gjerë. Nisma e tyre nuk është paraqitur në 12 të natës, por brenda orarit zyrtar, dhe sipas protokollit të Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh Ruçi në fjalën e tij në Kuvend.
Deputeti i opozitës parlamentare Myslim Murrizi akuzoi mazhorancën se në mënyrë të fshehtë kanë dorëzuar në ”Komitetin Qëndror”, dhe këtu i referohet Kuvendit, një draft të fshehtë për reformën zgjedhore.
“Ju bëj me dije se nuk do të arrini ta çoni deri në fund këtë pazar të pistë. Vota është në këtë sallë dhe jo në skutat e errta të pallatit të kongreseve. Zoti Balla ndalni pazarin e pisët, 30 vjet më përpara revolta e shqiptarëve në dyert e ambasadave kërkoi një votë të lirë të cilën edhe 30 vite më pas shqiptarët nuk e kanë”- tha Murrizi në sall
Kujtojmë se drafti i Reformës Zgjedhore do të shqyrtohet në seancën plenare të datës 30 korrik, njoftimi është i bërë zyrtar nga selia e Kuvendit. Ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe hapja e listave është një nga pikat kyçe që opozita parlamentare nuk bie dakord me mazhorancën.