Pjesa më e madhe e territorit të Qarkut Lezhë, Bashkitë Lezhë e Mirditë sot janë zgjuar nën pushtetin e një moti arktik, pa energji elektrike dhe me rrugë të bllokuara.
Aksi kombëtar Laç-Lezhë-Balldre është i bllokuar, automjetet orietohen drejt aksit te vjetër Lezhë-Milot. Pjesa dërmuese e territorit të Bashkisë Lezhë është pa energji elektrike që të shtunën mbrëma përfshi dhe një pjesë të qytetit. Rrugët e qytetit Lezhë janë të mbuluara nga bora dhe akulli.
Ende nuk është marr asnjë masë për hedhje kripe apo pastrim, çka përbën rrezik për qytetarët të cilët kanë vështirsi në lëvizje.
Sa i takon kalimit në aksin Lezhë-Milot ai mbetet i vështirë, dhe është dashur ndërhyrja e forcave të armatosura, për të bërë të mundur që rruga të bëhet e kalueshme me zinxhirë. 4 trajlera mësohet që janë përplasur me njëri tjetrin, për shkak të ngricës që është krijuar në rrugë, ndërkohë që për qytetarët e bllokuar me makina në këtë aks janë shpërndarë batanije dhe ushqime nga ana e ushtrisë.
Po ashtu solidarë me njëri tjetrin janë treguar dhe bizneset që operojnë anës rrugës, të cilët kanë ndihmuar qytetarët që ishin bllokuar me mjetet e tyre.
Në teritorin e Bashkisë Mirditë temperaturat janë shumë të ulta, në zonat e thella deri në -20 gradë. Teritoret e Njësive Administrative Orosh, Fanë , Selitë e kthellë pothuajse janë të izoluara.
Rruga e Kombit është e vetmja që është funksionale. Problem përbëjnë akset Rrëshen-Perlat-Urakë dhe Rrëshen-Kurbnesh-Lurë pasi jan akse që lidhin territore të gjëra.
Furnizimi me energji elektrike ndryshe nga teritori i Bashkisë Lezhë, Mirdita ka patur vetëm disa fshatra në zonat e thella. Trashsia e borës varion nga 30 cm deri në 50 cm në zonat e thella.
(E.K/Faxweb.al)