“Shqipëria asht Shkodër. Mos i largoni gjykatat!” Me këtë moto, avokatët në Shkodër dolën në protestë pasditën e së mërkurës para prefekturës së Qarkut Shkodër. Ato vijojnë bojkotin e seancave gjyqësore dhe janë kundër hartës së re gjyqësore. Ato kërkuan edhe bashkëpunimin e qytetarëve në këtë kauzë, pasi sipas tyre Shkodrës po i hiqen një nga një institucionet më të rëndësishme duke ia kaluar Tiranës apo rretheve të tjera…
“Kjo lëvizje është për të gjithë komunitetin shkodran, për të marrë drejtësi. Nuk jemi të barabartë para ligjit, ne kërkojmë që Shkodra të ketë dinjitetin e saj në të gjitha këndvështrimet. Shumica e shërbimeve gjyqësore duhet të merren këtu dhe jo në Tiranë.
Ka shumë problematika, edhe shumë gjyqtarë të shkarkuar por nuk është faji juaj por i atyre që kanë hyrë me reformë në drejtësi pa rezerva. Ftesa ime është për të gjithë që të marrin pjesë dhe të shprehin kundërshitë e tyre. Sot hiqen gjykatat nesër hiqen universitetet”-tha Drejtori i Dhomës së Avokatisë në Shkodër.
Në mbështetje të avokatëve ishin edhe qytetarë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak Shkodër. Avokatët janë të bindur në bojkotin e tyre dhe duket se nuk kanë ndërmend të ndalen.