AktualitetEkonomiFlashKryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

“Mos e gënjeni ministren, s’mban më ujë pilafi”, Ahmetaj ‘kryqëzon’ Denajn për projektbuxhetin: Ja kështu krijohen detyrimet e prapambetura (Video)

Është prezantuar dje drafti i buxhetit për vitin 2020 në komisionin e ekonomisë dhe financave, ku oponenca dhe kritikat kryesore janë bërë nga kryetari i komisionit, njëherësh ish-ministri Arben Ahmetaj.

Pas debteve të brendshme për buxhetin, theksi u vu tek mungesa e përllogaritjeve për të ardhurat si dhe gërshëra për investimet në infrastrukturë.

Ahmetaj e cilësoi të papranueshme shkurtimin e investimeve publike sidomos në infratrukturën rrugore.

 “Mos e gënjeni ministren, 4,1% rritja nuk arrihet. Tkurreni, tkurreni. Për ministren është buxheti i parë, por juve nuk iu falet”, iu është drejtuar Ahmetaj fillimisht ekspertëve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, teksa i referohej pritshmërive për rritjen ekonomike në vitin e ardhshëm.

Ahmetaj tha se projektbuxheti për vitin 2020 nuk ka një titull, pra një fokus në një fushë të caktuar që do të mund të jetë prioritet për vitin që po troket: për shembull “Buxheti i shëndetësisë”.

Po ashtu për Arben Ahmetaj rritja ekonomike 4,1 % për vitin 2020 kur ekonomia jonë mbetet e rrezikuar nga faktorë të brendshëm e të jashtëm, pa një paketë sociale të parashikuar në buxhet për shtresat në nevojë, pa investime të reja publike, është një optimizëm jo realist.

Ahmetaj i kërkoi Ministres së Financave Anila Denaj që të përmirësohet relacioni për projektbuxhetin 2020 duke u riparë rritja ekonomike me ulje për 2020-ën. “Një reflektim i pritshmërisë 2019 ndaj planifikimit të 2020”.

Për kreun e komisionit Ahmetaj ky projektbuxhet nuk ka asnjë politikë të re sociale apo mbështetëse.

“Kjo bie në kundërshtim me politikat e majta të qeverisë”, u shpreh Ahmetaj.

Ai sugjeroi që të priten edhe treguesit e nëntorit që në korrigjimin e relacionit të parashikohet edhe bonusi për pensionistët.

Të dhënat e e deritanishme tregojnë se qeveria nuk ka mundur të përdor rreth 13,3 mld lekë nga ato që kishte planifikuar në fillim të vitit.

Në këtë kontekst Ahmetaj iu drejtua financave i revoltuar që kjo shumë të shkojë për shlyerjen e plotë dhe të menjëhershme të detyrimeve të prapambetura ndaj projekteve infrastrukturore që rezultojnë në 6,2 mld lekë. “Sepse nuk mban më ujë pilafi me detyrimet”– tha ai.

Duke cekur investimet publike ai vërejti se shuma 300 mln lekë që do të shkojë për rrugën Orikum-Dukat është qesharake në raport me vlerën e projektit gati 60 mln euro.

“Kështu krijohen detyrimet e prapambetura. Nuk ka asnjë rrugë të re për 2020-ën. Janë shtyrë për 2022-2023”,u shpreh Ahmetaj mes të tjerave Ahmetaj, ndërsa theksoi se rrjeti rrugor i brendshëm është i një rëndësie të veçantë, dhe kjo është theksuar dhe nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Ministrja Denaj pritet që të dalë sot përpara Komisionit të Ekonomisë, ku do të bëjë mbrojtjen e saj lidhur me këtë projektbuxhet.

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *