Historia e Pejës është tema që u trajtua ditën e sotme në emisionin “Identiteti” nga Aida Shtino në Fax News. Peja si qytet ka kaluar periudha të ndryshme historike. Duke filluar nga koha e hershme emërtimi Pejë ka disa periudha nga koha antike dhe deri te koha e mëvonshme.
Tek Ptolemeu në veprën e tij Gjeografia e gjejmë me emërtimin SIPARANTUM.
Qyteti i Pejës filloi të përmendet që nga viti 1202 periudhë kjo e zhvillimit të feudalizmit. Pas emërtimit SIPARANTUM, Prekopinjë historian bizantin në vitin 565 jep përshkrimin për lokalitetin e shënuar si PENZA që zëvendësonte emërtimin SIPARANTIUM e që më vonë merr emërtimin PEK – PEKIA – IPEK e deri tek PEJA ashtu siç është edhe sot.
Peja si qytet është pushtuar disa herë. Gjatë pushtimit turk rreth viteve 1782 – 1784 Peja numëronte rreth 12 977 banorë dhe 193 fshatra, kurse çarshia kishte mbi 550 dyqane. Ishte koha kur qyteti kishte hyrë në rrugën e zhvillimit dhe kështu u bë qyteti më i pasur në rafshin e Dukagjinit. Qyteti banohej nga shqiptarë që ishin njerëz punëtor edhe me kulturë dhe që ruanin brez mbas brezi traditat dhe zakonet e lashta.
Sipas hulumtimeve ky qytet ka pasur një kala, mbi gërmadhat e të cilës u ndërtua një fabrikë në kohën e regjimit serb. Peja shtrihet në skajin veri –perëndimor të luginës së bukur të Dukagjinit, para grykës piktoreske të Rrugoves, nën shpatet e Alpeve Shqiptare dhe sot banohet nga 200 mijë banorë duke përfshirë gjithë komunën në tërësi.
Gazetarja dhe autorja e emisionit, Aida Shtino rrëfen: “Sot e kësaj dite çdo qytetar pejan ruan traditat dhe zakonet që kanë trashëguar nga e kaluara, që nga zhvillimi i qytetit deri në ditët e sotme. Ne udhëtuam drejt Pejës dhe për ta parë me sytë tanë dhe për ta prekur nga afër këtë qytet të lashtë. Takimin e parë e lamë në Komunën e Pejës ku na priste Kryetari i Komunës z. Gazmend Muhaxheri.
Atë ditë ishte një ditë e ftohtë ku binte një shi i imët i përzier me dëborë sikur do të na përgatiste për të mësuar historinë e lashtë të Pejës. Udhërrëfyesja jonë ishte Drejtorja e Kulturës zj. Xhenet Syka. Ishte një ditë e ftohtë, por ne nuk po e ndjenim shumë, sepse në ato vise ishte historia ajo që kishte rrëmbyer vëmendjen tonë.
Orët kalonin dhe ne mësuam se Haxhi Zeka që ishte edhe i pari i qytetit dhe kishte ndërmarrë lëvizjen e Pejës e quajtur Besa – Besë në vitin 1899. Kjo lëvizje u shtyp nga perandoria osmane e cila në vitin 1902 dërgoi ushtri të mëdha ku vrau edhe Haxhi Zekën. Haxhi Zeka ishte një figurë e rëndësishme për Pejën . Ai kishte ndërtuar një mulli që për atë kohë ishte mjaft i veçantë, sepse ishte i pari në rajon, me një teknologji të përparuar e cila u soll nga Austria. Ky mulli është një kompleks i madh që është nderuar në gjysmën e dytë të shekullit të 19. Në fillim u punua me ujë e pastaj me energji elektrike. Aty ka filluar ekonomia industriale në qytetin e Pejës. Gjatë luftës mulliri është djegur dhe më vonë është rindërtuar.
Për të kuptuar më shumë rreth jetës pejane të atyre viteve ne vizituam Muzeun Etnografik të Pejës.
Dita kishte përfunduar dhe në qytetin e bukur të Pejës kishte mbërritur nata. Duke ecur nëpër ato rrugë të cilat kishin nga një histori arritëm tek çarshia dhe këtu sërish hyra në histori.
Peja kishte qenë një qytet që gjithmonë ishte shquar për tregëti që në kohërat më të lashta, por gjatë shumë pushtimeve e luftërave disi ishte venitur shkëlqimi i saj. Gjatë kohës së Tanzimatit Peja sërish njohu një zhvillim të dukshëm shoqëror–ekonomik. Krijimi i një rrjeti të gjërë dyqanesh e punimesh, marrdhënjet ekonomike me botën e jashtme e kishin kthyer qytetin në një qendër të rëndësishme.
Në atë kohë në pallatin e Ismet Pashës ishte një biblotekë turko–franceze duke sjellë në këtë mënyrë në qytet një erë tjetër. Çarshinë ma shpjegoi me hollësi Xhenet Syka drejtoreshë e Kulutrës në Komunën e Pejës.
U largova nga Peja dhe me vete mora një pjesë të bukur të historisë së saj, por edhe të trishtë.
Historinë antike të SIPARANTUM, me tej hijen e kalasë së zhdukur të Pejës, Patriarka nënë që dikur kishte qenë e jona, por tani ishte pjesë e kishës serbe. Mora me vete imazhin e Haxhi Zekes i cili nëpërmjet veprës së tij jetonte akoma në atë qytet duke lënë mbrapa mullirin e tij madhështor për kohen.
Gjithashtu mora me vete çarshinë e bukur, që megjithëse ishte djegur disa herë, ishte rindërtuar dhe vezullonte nga dritat e shpresës. Mora me vete kullat e bukura të begolleve të cilët e kishin rikthyer traditën duke ju dhënë jetë atyre ndërtesave si edhe mora me vete grykën e bukur të Rugovës me urat e reja të cilat kishin lidhur shkëmbinjtë shekullorë si për të lidhur njëkohësisht historinë tonë duke ja u treguar atë brezave.”