Mjeku infektolog nga Kosova, Salih Ahmeti në një intervistë është shprehur se situata gjatë muajve të fundit në Kosovë është paraqitur e rëndë pasi është rritur numri i të infektuarve te moshat e reja dhe gratë shtatzënë.
Ahmeti u shpreh se numri i infektimeve është shtuar për shkak të variantit të ri britanik që po qarkullon në vend.
“Varianti britanik po rezulton më i rëndë. Vërejmë se ky virus është më i përhapshëm, qoftë mes familjarëve apo edhe kontakteve të tjera, jep ndërlikime shumë më serioze, me prekje shumë të rënda të mushkërive dhe organeve të tjera duke rrezikuar jetën e të sëmurit.
Është vënë re se rrezikon moshat e reja, kemi shumë raste të vdekjeve nga 40-60 vjeç dhe prekje të grave shtatzëna”, shpjegoi mjeku”, ka thënë ai për Euronews.