Vijon të jetë e rrethuar me mister tragjedia që ndodhi dy ditë më parë në Fier, ku 28-vjeçarja Irvana Medinaj, u masakrua me thika nga bashkëshorti i saj Demokrat Medinaj, i cili më pas u gjet i vdekur në afërsi të banesës, në një vend të grumbullimit të mbetjeve.
Familja Medinaj ka hapur sot dyert e mortit, ndërkohë që ende nuk bëhen të qarta rrethanat e vdekjes së Medinajt, nëse në trupin e tij janë gjetur apo jo shenja dhune. Dy fëmijët e çiftit 4 dhe 6 vjeç, tashmë nuk dihet nëse do të qëndrojnë me familjen e të atit apo nënës së tyre, e cila u qëllua 31 herë me thikë, teksa ishte në muajin e dytë të shtatzënisë, në pritje të fëmijës së tretë.
Burimet përjashtojnë se ngjarja të ketë ndodhur për shkak të problemeve ekonomike, pasi familja Medinaj ka qenë në gjendje të mirë, pasi kishte një biznes pularie, nga ku nxirrte mjaftueshëm të ardhura, për të bërë një jetesë normale.
Demokrat Medinaj është nipi i një personazhi të njohur të botës së krimit në Fier, ‘Beq Qimes’, i cili në fakt i ka ndihmuar dhe në ngritjen e biznesit të pularisë. Të njëjtat burime, që iu referohen kryesisht familjarëve dhe të afërmve të çiftit të vdekur, thonë se Demokrat Medinaj ndihmonte ekonomikisht dhe prindërit e bashkëshortes së tij, të cilën e qëlloi pa mëshirë me thikë.
Familjarët e 28-vjeçares thanë dje se çifti nuk kishte pasur probleme më herët, dhe se ata kishin pasur respekt reciprok me familjen Medinaj. Tashmë pritet që të mbërrijë ekspertiza që saktëson se çfarë e ka shkaktuar vdekjen e Demokrat Medinajt, ndërkohë që ngjarja ka lënë të tronditur të gjithë banorët e dy fshatrave.
Demokrat Medinaj do të përcillet për në banesën e fundit këtë paradite në fshatin Sheq i Madh, ndërkohë që Irvana u varros dje në fshatin e saj të lindjes, ku jeton ende familja e saj, Ferras.
(E.K/Faxweb.al)