Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka folur për inceneratorin e Fierin ku inspektoi nga afër punimet e impiantit të përpunimit të mbetjeve, të cilat nisën që nga viti 2017 dhe nuk kanë përfunduar ende.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me akuzat e PD për koncesionet e inceneratorëve, Klosi tha:
“Përgjigja është puna dhe vepra. Përgjgija është ajo që qytetarët do të prekin shpejt, është një vepër e madhe e punuar me intensitet, është një vepër moderne. Inceneratori i Fierit është drejt fundit dhe brenda muajit dhjetor do të përfundojë. Nga ky moment, nuk do të ketë më male me plehra por një situatë urbane aq sa ka mundësi të riciklohet duke futur mbetjet në procesin e riciklimit. Përfundimisht do të zgjidhim një nga gangrenat më të mëdha”.
Më pas shtoi se koncesioni do të zgjasë 7 vjet, ku 3 vjet janë për ndërtimin e impiantit dhe 4 janë bashkëpunim me kompaninë dhe më pas impianti i përpunimit të mbetjeve do ti kalojë Bashkisë.
“Inceneratori i Fierit është një vepër e madhe publike. Kanë përfunduar të gjithë elementët e saj dhe vepra. Ka përfunduar impianti i trajtimit të mbetjeve të riciklueshme dhe brenda dhjetorit përfundon inceneratori që shikoni atje dhe brenda 7 viteve, pra koncesioni është 7 vjet, 3 vjet është për të ndërtuar impianti, 4 vjet është për të bashkëjetuar kompania me Bashkinë dhe më pas i kalon Bashkisë. Ky sistem pastron mbetjet urbane. Ky qark është me shtrirje të madhe dhe ka sjellë risi për trajtimin ekologjik të situatës dhe ndihmon komunitetin, jo vetëm për energjinë por edhe për ujin. Uji shkaktonte ndotje ndërsa tani do të ndihmojë për vaditje dhe do ndihmojë fermerët e vendit”, tha Klosi.
Prej një viti i gjysmë, banorët e fshatit Verri protestojnë kundër ndërtimit të impiantit me djegie të mbetjeve urbane pranë tokave bujqësore. (A.M/Faxweb.al)