Minoritarët grekë në zonën e Dropullit në Gjirokastër kanë festuar sot 203 – vjetorin e Pavarësisë së Greqisë. Ceremonia që ka nisur me meshën në kishën e Dervicianit, ka vijuar me parakalimin tradicional të paradës festive nga nxënës të shkollave të zonës ku flamuri grek valëvitej krahas flamurit shqiptar, ndërsa në sheshin kryesor të Dervicianit është dhënë edhe një koncert festiv. Ajo që ra në sy ceremoninë e ditës së sotme ka qenë mungesa e përfaqësuesve të PBDNJ dhe Omonia të cilët kanë festuar një ditë më parë në Finiq. Kryebashkiaku i Dropullit Dhimitraq Toli nuk ka pranuar të komentojë mbi këtë fakt. Festa Kombëtare e Greqisë kujtohet çdo vit më 25 mars në nder të revolucionit grek, e konsideruar si një luftë e suksesshme e pavarësisë kundër pushtimit osman, zhvilluar mes viteve 1821 dhe 1832.