Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar për ndarjen nga jeta të mësuesit nga Rrësheni Gjon Kola, i cili ndërroi jetë në moshën 57 vjecare si pasojë e Covidit. Postimi në rrjete sociale erdhi pas përditësimit nga Ministria e Shëndetësisë, ku mes 5 jetëve të humbura të 24 orëve të fundit, nuk renditet askund mësuesi nga Rrësheni.
Megjithatë Shahini shprehu ngushëllimet për familjen, si dhe respektin për kontributin e tij disa vjeçar në shkollë, ndërsa theksoi se virusi është i pabesë ndaj të gjithë duhet të mbrohen dhe të respektojnë protokollet shëndetësore.
“Mora lajmin e hidhur që një nga mësuesit tanë të nderuar në qytetin e Rrëshenit ka humbur sot betejën me COVID-19. Shpreh dhimbjen dhe respektin për këtë mësues të vyer e me përvojë dhjetëra vjeçare, si për stafin e shkollave ku ai ka dhënë mësim, ashtu dhe për nxënësit që ai ka edukuar ndër vite.
Ndaj këtë dhimbje me familjarët e mësuesit Kola, me nxënësit dhe kolegët e tij. Dua të theksoj edhe një herë nevojën që gjithsecili prej nesh të zbatojë sa më me rigorozitet të gjitha masat e nevojshme për tu mbrojtur nga ky virus i pabesë dhe i padukshëm.
Çdo jetë e juaja dhe e familjarëve tuaj është e shenjtë dhe duhet mbrojtur nga të gjithë ne si shoqëri, prandaj të respektojmë me rigorozitet të gjitha protokollet shëndetësore. Uroj SHËRIM TË SHPEJTË edhe për arsimtarët e tjerë që janë prekur nga ky virus”, shkroi Shahini për mësuesin që ishte shtruar prej disa ditësh në spitalin Infektiv.
Lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta e bëri publik gazetari Gjergj Marku, i cili shkroi se Kola ishte prej disa ditësh i shtruar në spitalin Infektiv në Tiranë, por nuk e ka fituar dot betejën me sëmundjen.
Mund të duket se reagimi i Shahinit ka një “përplasje” me përditësimin e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila njofton: “Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 62 vjeçare nga Tirana, një 63 vjeçare nga Tirana, një 70 vjeçar nga Korça, një 74 vjeçare nga Shkodra, një 83 vjeçar nga Pogradeci. I shprehim ngushëllimët familjarëve.”
Kujtojmë se ditën e sotme ndërroi jetë edhe një i ri 29-vjecar, i cili ishte i infektuar me Covid por kreu vetëvrasje duke u hedhur nga kati i tretë i spitalit Shefqet Ndroqi. Edhe për këtë ngjarje nuk kishte reagim në përditësimin e orës 16:00.(A.M/Faxweb.al)