Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetEkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

Situata ekonomike dhe shtyrja e kredive, Mikrofinanca Shqiptare flet për mijëra…

Me anë të një deklarate Shoqata Mikrofinanca Shqiptare ka reaguar në lidhje me situatën ekonomike që po kalon vendi. Në njoftim thuhet ndër të tjera se shoqata dëshiron të informojë publikun se institucionet e mikrofinancës janë duke kontribuar maksimalisht në drejtim të mbështetjes së bizneseve të vogla, fermerëve dhe familjeve shqiptare, të ardhurat e të cilëve janë impaktuar nga kufizimet e aktivitetit ekonomik që po kalon vendi.

Ajo thotë se deri tani në kuadrin e Moratoriumit të Kredive, të mandatuar nga Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë, për shtyrjen e ripagimeve të kredive, Institucionet financiare anëtare të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare kanë shqyrtuar më shumë se 31 mijë kërkesa për shtyrje.

Njoftimi i plotë

“Mikrofinanca: “Dera e aksesit në financë duhet të mbetet e hapur për mijëra biznese të vogla, fermerë shqiptarë dhe individë që nuk financohen në kushte normale nga sektori bankar”  Biznesi i vogël, fermeri dhe po ashtu familja shqipare, kanë nevojë t’u garantohet aksesi në· financime të lehtësuara në mënyrë që të lehtësohet rimëkëmbja e ekonomisë së vendit;  Sektori i mikrofinancës ka mbështetur mbi 26 mijë individë, sipërmarrës e fermerë, duke u· shtyrë këstet e kredive, konform udhëzimit të Bankës së Shqipërisë dhe të Qeverisë Shqiptare për periudhën që po lëmë pas;  Produktet e adaptuara të mikrofinancës mundësojnë që dera e aksesit në financë të mbetet e· hapur për mijëra sipërmarrës të vegjël shqiptarë të cilët nuk financohen nga sektori bankar në kushte normale, e aq më pak në kushtet ekonomike që po kalon vendi;  Mikrofinanca mundëson një shpërndarje kapilare të çdo financimi drejt territoreve më rurale· apo komuniteteve më të përjashtuara të vendit, që nuk shërbehen nga sektori bankar për shkak të vlerave të ulëta, largësisë gjeografike apo mungesave në dokumentacion.

Shoqata Mikrofinanca Shqiptare (AMA), dëshiron të informojë publikun se institucionet e mikrofinancës janë duke kontribuar maksimalisht në drejtim të mbështetjes së bizneseve të vogla, fermerëve dhe familjeve shqiptare, të ardhurat e të cilëve janë impaktuar nga kufizimet e aktivitetit ekonomik që po kalon vendi. Këto institucione kanë krijuar lehtësime të shumta për të mundësuar rikthimin në normalitet të aktivitetit të bizneseve dhe aktivizimin e konsumit për familjet shqiptare. Në kuadrin e Moratoriumit të Kredive, të mandatuar nga Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë, për shtyrjen e ripagimeve të kredive, Institucionet financiare anëtare të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare kanë shqyrtuar më shumë se 31 mijë kërkesa për shtyrje. Deri në këtë moment, janë miratuar dhe procesuar 26,129 aplikime, nga të cilat rreth 18 mijë janë kredi për individë dhe 8 mijë kredi për biznese. Totali i portofolit të kredive të riskeduluara, sipas datës 30 prill 2020 është 7.87 miliardë lek ose rreth 63.5 milionë Euro dhe përbën rreth 28% të portofolit total të kredive *) Shoqata e Mikrofinancës konfirmon vështirësitë që po hasen aktualisht nga ekonomia shqiptare, ashtu si dhe pritshmëritë jo-pozitive për periudhën që po vjen. Kjo është një situatë e vështirë dhe e paprecedentë që konfirmohet nga rënia e konsumit, paraliza e bizneseve, zgjerimi i vonesave në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, ulja e pagave dhe të ardhurave familjare për dhjetëra mijëra biznese, fermere e familje shqiptare. Kriza aktuale po impakton kryesisht ato biznese të vogla e fermerë të cilët nuk kanë fonde rezerve, kapacitete stoku, apo burime të mjaftueshme menaxhimi për t’u përballur të vetëm me mungesën e të ardhurave si pasojë e kufizimit të aktivitetit ekonomik të tyre në kontekstin e pandemisë Covid19. Këto biznese e fermerë, për shkak të karakteristikave të tyre, nuk financohen në kushte normale nga sektori bankar, dhe janë aktualisht të përjashtuar nga aksesi në financë për shkak të ndrydhjes së financimit bankar.

Mikrofinanca shqiptare, me një aktivitet mbi 25 vjeçar, mbetet e vetmja alternative financimi për këto biznese e fermerë. Mos përfshirja e këtij sektori në fondin e garancisë kushtëzon disbursimin e financimeve të reja për këto biznese e fermerë dhe rrjedhimisht dëmton në mënyrë të ndjeshme ekonominë e vendit, duke paralizuar përfituesit fundorë të zinxhirit të furnizimit, familjet, fermerët dhe sipërmarrjen e vogël, që janë shtylla kurrizore e ekonomisë së vendit tonë. Pavarësisht kësaj situate, institucionet e mikrofinancës mbeten të angazhuar maksimalisht që të mbështesin ekonominë shqiptare, me lehtësi për biznesin dhe financime të reja, me shpresën që Qeveria Shqiptare do t’i përfshijë në skemat dhe instrumentat financiarë që deri më sot janë rënë dakord vetëm me sistemin bankar, për t’i dhënë një frymëmarrje të re mbështetjes së biznesit shqiptar dhe sfidave që ai po kalon në këto muaj të vështirë. Dera e aksesit në financë për individët, biznesin e vogël dhe fermerin shqiptar duhet të mbetet me çdo kusht e hapur në këto kohë sfidash për ekonominë e vendit. Kushtëzimi i tyre nga fondi i garancisë duke i orientuar vetëm drejt ofertës bankare, përfaqëson një kufizim të aksesit në financë. Moskonsiderimi i institucioneve mikrofinanciare në këtë instrument të shtetit shqiptar, përpos kufizimit të financimit për biznesin e vogël dhe fermerin shqiptar, mund të impaktojë edhe konkurrencën e drejtë në kredidhënie mes bankave dhe institucioneve të mikrofinancës, duke i vendosur të parat në një pozicion më të favorshëm dhe duke krijuar për pasojë një shtrëmbërim të pajustifikuar të tregut.

Rreth Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare Shoqata Mikrofinanca Shqiptare është një organizatë sektoriale e themeluar në vitin 2006, e cila bashkon institucionet mikrofinanciare më të rëndësishme në vend. Me një total asetesh prej më shumë se 37.5 miliardë lek (rreth 300 milion euro), Shoqata përmbledh 248,800 klientë (individë, fermerë e sipërmarrës të vegjël). Institucionet anëtare të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare janë kthyer në promotore të zhvillimit ekonomiko-social dhe në aktorë të edukimit financiar të sipërmarrjeve private, agro-biznesit dhe individëve. Anëtarët aktualë të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare janë Agro&Social Fund, Crimson Finance Fund Albania, Fondi Besa, Fed Invest SHKK, IuteCredit Albania, Kredo.Al , NOA sha, UniFin SHKK”.

 

Fjalët Kyce
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *