Presidenti i vendit Ilir Meta zhvilloi ditën e sotme një takimi me ministrin e Jashtëm italian Luigi di Maio. Në fjalën e tij Meta shprehu mirënjohjen ndaj qeverisë italiane, si në rastin e ndihmës së tërmetit, ashtu dhe në dërgimin e specialistëve në betejën kundër Covidit. Meta e falendoroi gjithashtu ministrin italian për rolin proaktiv të qverisë së tij në proceset integruese të vendit tonë.
“Ne vlerësojmë rolin proaktiv të Italisë në mbështetjen e perspektivës europiane të Shqipërisë dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për të përmirësuar integrimin e vendit tonë dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi në Bashkimin Europian”, – nënvizoi Presidenti Meta, duke shtuar se “Shqipëria ka përpara saj përmbushje të domosdoshme të kushteve të funksionimit të shtetit demokratik: zgjedhje të lira dhe të ndershme, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, liria e medias, etj.”
Kreu i Shtetit duke vlerësuar faktin se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, kërkoi një prani më të madhe të investitorëve seriozë italianë në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare.
“Urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, – tha Presidenti Meta, “janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali. Ndaj inkurajoj rritjen bashkërisht të përpjekjeve për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e traditave të pasura shqiptare në vendin fqinj.”