Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashKryesoreTe FunditTe Gjitha

Meta kthen në Kuvend ndryshimet në ligjin për Vetingun e Policisë: Po mbahet peng procesi për intimidimin dhe shantazhimin e trupës policore

Presidenti Meta ka kthyer sërish në Kuvend ndryshimet në ligjin për Vetingun e Policisë ku kërkohet për herë të tretë ndryshimi i tij.

Së fundmi mazhoranca ka kërkuar nëpërmjet një nisme deputetësh pezullimin e e vetingut të policëve deri në përfundim të vlerësimit të kalimtar të trupës së vlerësimit të punonjësve të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave.

Ndërkohë Presidenti Meta së bashku me dekretin e kthimit në Kuvend ka shpjeguar dhe arsyet juridike duke e quajtur të pakuptimtë ndryshimin për herë të tretë të një ligji të një rëndësie të tillë.

“Ndryshime kaq të shpeshta të ligjeve të tilla me kaq rëndësi, tregojnë ose për gabime në procesin legjislativ në momentin fillestar të miratimit të ligjit bazë, dhe që tashmë duhet të ishte pranuar nga nismëtarët e të ishin nxjerrë përgjegjësitë për dështimin e kësaj nisme, ose për një qëllim politikpër ta mbajtur procesin e vetting-ut në polici të hapur për një kohë të gjatë, me qëllim pasjen e një mekanizmi presioni, intimidimi dhe shantazhi përkundrejt trupës policore.

Presidenti i Republikës, duke vlerësuar përmbajtjen e të tre ligjeve ndryshuese, të vitit 2019, 2020, 2021, dhe mospërmbushjes së objektivave të parashikuara në ligjin bazë nr. 12/2018, evidenton qartë se është pikërisht vullneti politik i mazhorancës për ta mbajtur këtë proces të hapur pambarimisht për të patur një mekanizëm presioni, intimidimi dhe shantazhi përkundrejt trupës policore, qëllimi real i ndryshimeve kaq të shpeshta në këtë ligj, pasi ligji bazë nr. 12/2018, është vlerësuar si një nismë pozitive.”, arsyetohet në dekretin e presidentit Meta.

Arsyet:

TË LIGJIT NR. 30/2021 “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.
12/2018 “PËR VLERËSIMIN KALIMTAR DHE PERIODIK TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, GARDËS SË REPUBLIKËS DHE SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT NË MINISTRINË E BRENDSHME, TË NDRYSHUAR”

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën plenare të datës 8 mars 2021, ligjin nr. 30/2021, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, të ndryshuar”.

Me shkresën me nr. 766 prot., datë 10.03.2021, të Kuvendit, ky ligj i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.

Para së gjithash, është me shumë rëndësi të evidentohet se ligji bazë nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, i miratuar në datë 05.03.2018, është shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 10747, datë 20.3.2018 , por vetëm pak kohë pas hyrjes në fuqi, ky ligj është ndryshuar dy herë (në vitin 2019-2020), ndërkohë që tani ndryshon për të tretën herë.

Konkretisht:

– Ndryshimin e parë Kuvendi i Shqipërisë e ka realizuar me ligjin nr. 20/2019 “Për disa ndryshime në ligjin 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, ndryshim ligjor ky i cili nuk është pranuar nga Presidenti i Republikës, dhe është kthyer për rishqyrtim në Kuvend, me Dekretin nr. 11175, datë 19.04.2019 ;

– Ndryshimi i dytë mbi këtë ligj është bërë nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 74/2020, ndryshim ky i cili sërish nuk u pranua nga Presidenti i Republikës duke u kthyer për rishqyrtim në Kuvend përmes Dekretit nr. 11536, datë 08.07.2020 ; dhe

– Ndryshimi i tretë bëhet aktualisht nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 30/2021, objekt shqyrtimi.

Ndryshime kaq të shpeshta të ligjeve të tilla me kaq rëndësi, tregojnë ose për gabime në procesin legjislativ në momentin fillestar të miratimit të ligjit bazë, dhe që tashmë duhet të ishte pranuar nga nismëtarët e të ishin nxjerrë përgjegjësitë për dështimin e kësaj nisme, ose për një qëllim politik për ta mbajtur procesin e vetting-ut në polici të hapur për një kohë të gjatë, me qëllim pasjen e një mekanizmi presioni, intimidimi dhe shantazhi përkundrejt trupës policore.

Presidenti i Republikës, duke vlerësuar përmbajtjen e të tre ligjeve ndryshuese, të vitit 2019, 2020, 2021, dhe mospërmbushjes së objektivave të parashikuara në ligjin bazë nr. 12/2018, evidenton qartë se është pikërisht vullneti politik i mazhorancës për ta mbajtur këtë proces të hapur pambarimisht për të patur një mekanizëm presioni, intimidimi dhe shantazhi përkundrejt trupës policore, qëllimi real i ndryshimeve kaq të shpeshta në këtë ligj, pasi ligji bazë nr. 12/2018, është vlerësuar si një nismë pozitive.

Lidhur me këto qëllime politike përgjatë ndërhyrjes në ligjin bazë, Presidenti i Republikës, ka arsyetuar në mënyrë shteruese në të dy dekretet e tij – Dekretin nr. 11175, datë 19.04.2019 dhe Dekretin nr. 11536, datë 08.07.2020, arsyetime me gjetje e vlerësime këto, të cilat konfirmohen sërish sot, kur Kuvendi ka realizuar ndërhyrjen e 3-të në ligjin bazë, sërish me të njëjtin qëllim politik, mbajtjen e Policisë së Shtetit nën trysni dhe presion politik, për ta keqpërdorur atë.

Ligji nr. 30/2021, bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, cenon parimin e sigurisë juridike, cenon parimet dhe standardet e vendosura me ligjin bazë nr. 12/2018, pasi përmes ndryshimeve të njëpasnjëshme Kuvendi vijon të heqë një e nga një garancitë për një proces kaq të rëndësishëm si vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, ç’ka konfirmon të gjitha dyshimet se ky proces nuk do të realizohet në kohën e duhur, me objektivitet dhe paanshmëri, duke bërë kështu edhe një hap tjetër pas, në raport me standardet e ligjit bazë nr. 12/2018.

Referuar sa më sipër, dhe siç do të shpjegohet në vijim të këtij arsyetimi, në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të saj, kam vendosur që ky ligj i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit, për argumentet e renditura në mënyrë më të detajuar, si më poshtë vijon:

1. Ligji nr. 30/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, të ndryshuar”, objekt shqyrtimi, është propozuar, prezantuar dhe shqyrtuar në kushte kur vullneti i organit ligjvënës provohet se ka qenë fiktiv dhe i paracaktuar/diktuar nga qeveria, duke shkelur kështu parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të parashikuar nga neni 7, i Kushtetutës së Shqipërisë.

Ligji nr. 30/2021, përmban vetëm një nen me efekt pezullues të procesit vetting në Policinë e Shtetit. Ky ligj ka këtë përmbajtje:

“Në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme” bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1
Shtohet neni 68 me këtë përmbajtje:
“Neni 68
Dispozitë kalimtare
Procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës pezullohet deri në përfundimin e procesit të vlerësimit kalimtar të trupës së vlerësimit të punonjësve të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave.”

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, rezulton se ky ligj formalisht është propozim i një grupi deputetësh, depozituar në Kuvendin e Shqipërisë në datë 12.02.2021, shqyrtuar nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare në cilësinë e Komisionit Përgjegjës në datë 02.03.2021 dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare në datë 8 mars 2021.

Në Raportin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, të datës 02.03.2021, citohet se: “Për të prezantuar projektligjin në komision ishin të pranishëm Zëvendësministri i Brendshëm z.Julian Hodaj dhe përfaqëues të tjerë të Ministrisë.” Sipas Rregullores së Kuvendit kjo nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë.

Eshtë e pakuptimtë dhe e papranueshme se si mund të prezantohet një projektligj që është nismë e deputetëve, nga përfaqësuesit e qeverisë. Mjafton ky fakt për të provuar edhe një herë se Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë janë trupëzuar në një organ të vetëm, dhe ku ky i fundit (Kuvendi) ka humbur krejtësisht rolin mbikqyrës e kontrollues ndaj ekzekutivit.

Kjo situatë, fakton edhe një herë se Republika e Shqipërisë ndodhet në një situatë ku parlamentarizmi ka humbur rolin e tij. Kuvendi i Shqipërisë është kthyer realisht në një noter të qeverisë, që njehson vullnetin e kësaj të fundit dhe ku parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve i parashikuar në nenin 7 të Kushtetutës, jo vetëm që nuk ekziston midis ekzekutivit dhe parlamentit, por këto dy organe në veprimtarinë e tyre kanë humbur seriozitetin për t`u kujdesur, qoftë dhe në dukje, për respektimin e këtij parimi.

Rasti konkret, është tregues i mënyrës se si ligjet draftohen nga ekzekutivi (qeveria), dhe për të shmangur konsultimin e detyrueshëm të një projektligji nga ministria propozuese, në shkelje të çdo parashikimi kushtetues mbi ndërmarrjen e nismave ligjore, propozimi dhe depozitimi i tyre realizohet nga deputetë të Kuvendit.

Në këtë mënyrë, shmanget konsultimi i detyrueshëm i projektligjit sipas procedurave të ligjit nr. 9000/2003 “Për oganizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me veprime që praktikisht mund të konsiderohen edhe falsifikim, duke u nënshkruar sikur janë nisma të propozuara nga një, apo disa deputetë të Kuvendit.

Për pasojë, edhe pse de jure duket sikur nuk është cenuar neni 81, pika 1, e Kushtetutës që të drejtën e propozimit të ligjeve ia njeh Këshillit të Ministrave, çdo deputeti, si dhe 20 mijë zgjedhësve, de facto, një nismë të depozituar si e nënshkruar nga deputetë, në Raportin e Komisionit përgjegjës citohet se është prezantuar jo nga deputetët propozues, por nga Zëvendësministri i Brendshëm.

Për më tepër, nga një krahasim i Raportit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare me Relacionin shoqërues të nismës, qëndrimet e Zëvendësministrit të Brendshëm janë literalisht të njëjta me atë që thuhet në Relacionin shoqërues nënshkruar nga deputetët propozues .

2. Ligji nr. 30/2021, bie ndesh me nenin 82, të Kushtetutës, që sanksionon se:
“1. Propozimi i ligjeve, kur është rasti, duhet të shoqërohet kurdoherë me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij.
2. Asnjë projektligj joqeveritar që bën të nevojshme rritjen e shpenzimeve të buxhetit të shtetit ose që pakëson të ardhurat, nuk mund të miratohet pa marrë mendimin e Këshillit të Ministrave, i cili duhet të shprehet brenda 30 ditëve nga data e marrjes së projektligjit. 3. Në qoftë se Këshilli i Ministrave nuk shprehet brenda afatit të mësipërm, projektligji kalon për shqyrtim sipas procedurës së zakonshme.”

Siç u përmend dhe më sipër, ligji rishton një tjetër dispozitë kalimtare të numërtuar si neni 68, me këtë përmbajtje: “Procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës pezullohet deri në përfundimin e procesit të vlerësimit kalimtar të trupës së vlerësimit të punonjësve të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave.”

Përmes këtij parashikimi, është e qartë që procesi i vlerësimit kalimtar shtyhet pa afat. Referuar elementëve që përmban në vetvete procesi vetting, de facto shtyrja në kohë, do të ketë një afat të papërcaktuar.

Mjafton që për arsye nga më të ndryshmet, si proceduriale apo materiale, një anëtari të trupës së vlerësimit të punonjësve të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, t’i zgjasë në kohë procesi i vlerësimit kalimtar të tij, për pasojë, e gjithë pjesa tjetër e trupës së Policisë së Shtetit që do të duhet t’i nënshtrohet vetting-ut, do të presë pambarimisht dhe procesi ndaj tyre nuk mund të fillojë.

Pikërisht ky fakt, i vendosur tashmë me ligj, nuk ka se si të prodhojë përshpejtimin e procesit vetting, por nga njëra anë sjellë bllokimin e tij, dhe nga ana tjetër, sjell si pasojë shtimin e kostove për buxhetin e shtetit.

Ndërkohë që, rikujtojmë se, për realizimin e vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, përfshirë dhe Gardën e Republikës, në momentin e miratimit të ligjit bazë nr. 12/2018, neni 68, parashikonte se:
“Dispozitë kalimtare
Procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat do të përfundojë brenda një periudhe prej 24 muajsh, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

Për pasojë, efektet financiare, relativisht të larta duke patur në konsideratë pagat, por dhe nevojat infrastrukturore mbështetëse të strukturave përgjegjëse për realizimin e procesit të vlerësimit, kanë qënë të parashikuara për periudhën 24 mujore.

Me ndryshimet e mëpasshme ligjore (ligjin nr. 20/2019), kjo dispozitë që përcaktonte afatin maksimal të zgjatjes së procesit të vlerësimit, u shfuqizua.

Ndërkohë që, me ndryshimin tjetër, pra ndryshimin e dytë, të realizuar me ligjin nr. 74/2020, kthyer për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti i Republikës , u shfuqizua edhe afati 1 vjeçar në nenin 13, të ligjit bazë, për ushtrimin e veprimtarisë së Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.

Ky ndryshim u realizua bashkë me parashikimin e kryerjes së vlerësimit kalimtar paralelisht nga dy organe, si nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, ashtu dhe nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit.

Kurse tani, me ndryshimin që propozohet me ligjin nr. 30/2021, afati për procesin e vlerësimit në fakt shtyhet pa asnjë kufizim limit kohor, ç’ka përveç problematikave të tjera të rënda që do sqarohen në vijim, sjell dhe efekte financiare në buxhetin e shtetit.

Në këtë mënyrë nisma propozuese e disa deputetëve të Kuvendit, në zbatim të nenit 82 të Kushtetutës,

– jo vetëm që duhet të ishte shoqëruar me raportin mbi shpenzimet financiare për zbatimin e tij; por

– si një projektligj që formalisht është depozituar si nismë e deputetëve, dhe që në çdo rast sjell rritje apo ndikim në shpenzimet e buxhetit të shtetit për shkak të shtyrjes në kohë të procesit të vlerësimit, duhet të ishte shoqëruar me marrjen e mendimit të Këshillit të Ministrave.

Kjo është kërkesë e nenit 82 të Kushtetutës, që në këtë rast është shkelur.

Nuk mjafton që ky vullnet të shprehet nga një anëtar i vetëm i kabinetit qeveritar, që siç rezulton nga procesverbali i mbledhjes së Komisionit për Sigurinë Kombëtare, ka shprehur dakordësinë “edhe në emër të qeverisë” .

Praktika e miratimeve verbale, duke shmangur procedurën shkresore, nuk është një praktikë e shtetit të së drejtës, pasi Ministri i Brendshëm nuk mundet të përfaqësojë vullnetit e organit kolegjial të Këshillit të Ministrave. Nga praktika parlamentare, nuk rezulton që të jetë administruar mendimi i Këshillit të Ministrave, që përmban edhe vlerësimin e strukturës direkt përgjegjëse për çështjet financiare – Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, duke bërë që kjo nismë të jetë miratuar në shkelje flagrante të nenit 82, të Kushtetutës.

3. Në Relacionin shpjegues të nismës propozuese, citohet se: “Qëllimi i këtij projekt-ndryshimi është të përmirësojë efiçencën e procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik sipas parashikimeve të Ligjit 12/2018, të ndryshuar, duke pezulluar procesin e vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës dhe duke orientuar punën e Komisionit të Jashtëm të Vettingut në përfundimin së pari të procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik për trupën vlerësuese të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.”

Se si mund të përmirësohet efiçensa e procesit të vlerësimit kalimtar të Punonjësve të Policisë së Shtetit, ndërkohë që përmes këtij ligji ky proces pezullohet, është një tregues shumë i qartë i mungesës së seriozitetit të vlerësimit dhe propozimit të kësaj nisme.
Ky argument është jo vetëm i pabazuar dhe jo serioz, por në thelb është tërësisht një argument fiktiv. Kjo tregon qartë se në çfarë gjendjeje të papranueshme gjendet sot procesi legjislativ, ku sa më shumë i afrohet përfundimit të mandatit 4-vjeçar, aq më shumë Kuvendi i Shqipërisë po shfaq mungesë vëmendjeje dhe përkujdesjeje në procesin e vlerësimit dhe miratimit të nismave ligjvënëse, që për më tepër nuk kanë aspak lidhje me kërkesat apo nevojat e shoqërisë.

Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave, përmes ndërhyrjeve legjislative të realizuara në vitin 2019 dhe 2020, ashtu sikundër është përsëritur në arsyet e kthimit të ligjit nr. 74/2020, nuk ka synuar asnjëherë përshpejtimin e procesit vetting në polici brenda afatit ligjor, por ndërhyri shkallë-shkallë përmes ndryshimeve ligjore, për të hequr fillimisht afatin e përfundimit të procesit për një pjesë të trupës policore; ndërsa me një ndërhyrje të dytë, hoqi krejtësisht afatin ligjor të përfundimit të procesit edhe për pjesën tjetër të trupës policore, duke e lënë këtë proces të hapur dhe pa një afat të përfundimit të tij.

Ndërkohë sot, përmes ligjit nr. 30/2021, në fakt, jo vetëm po e fut në tërësi procesin vetting, në vazhdën e “pezullimit” pa afat, por edhe dosjet që janë në proces vlerësimi i pezullon, duke krijuar kështu një situatë pasigurie të rëndë juridike për gjithë subjektet që e kanë nisur këtë proces, apo që do mbeten në pritje për t`iu nënshtruar atij.

Ky synim, për pezullimin edhe të dosjeve të nisura të vlerësimit kalimtar, del qartë nga “shqetësimi” i ngritur në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare nga vetë ministri i Brendshëm, që sipas procesverbalit të zbardhur, është shprehur se:

“Vetëm se nuk pashë atje, kam merak për dosjet që janë ongoing, domethënë të cilësohet që të pezullohen ato dosje që janë në proces. Domethënë, nuk e di nga ana e teknikës legjislative nëse presupozohet që ato pezullohen automatikisht. Pra, nuk e di, ndoshta mund të jetë një interpretim i tillë, por do të doja që edhe dosjet që janë në proces të pezullohen për sa i takon trupës së policisë dhe të fillohet të merren vetëm me vetingun e trupës së SHÇBA-së.”

Një nga problemet kryesore që sërish evidentohet edhe në këtë ligj është pikërisht situata e pasigurisë juridike që shkakton për subjektet e vlerësimit kalimtar.

Kjo problematikë shtohet edhe më shumë veçanërisht kur në praktikën parlamentare, disa herë vihet theksi se, synohet t`i lihet kohë vetes, për ta riparë nismën në tërësi .

Ka qenë Ministri i Brendshëm që në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë është shprehur ndër të tjera se: “Ndërkohë, t’i lëmë kohë vetes që të shikojmë të gjitha rekomandimet që vijnë nga institucione të ndryshme apo edhe nga vetë komisioni, si monitoruesi, për ta riparë në tërësi nëse duhet të ndryshojmë ndonjë gjë që ka të bëjë me të ardhmen e këtij procesi kaq të rëndësishëm.”

Ky fakt, dhe shtyrja e vazhdueshme në kohë deri në pezullimin e dosjeve në proces, përveçse cenon sigurinë juridike, sjell gjithashtu trajtim të pabarabartë të subjekteve të ligjit në raport me ato subjekte që tashmë e kanë kaluar vlerësimin kalimtar, apo dhe të gjithë trupës policore që sipas afateve dhe procedurave që diktonte ligji bazë nr. 12/2018, u angazhuan në plotësimin e fomularëve dhe dorëzimin e dokumentacionit që kërkohet.

Ky pohim i Ministrit të Brendshëm, thënë hapur dhe qartë në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, jo vetëm që ka zhvlerësuar tërësisht procesin e vlerësimit në rradhët e efektivëve të Policisë së Shtetit, por e vë ligjvënësin në një situatë qesharake, kur shtyn çdo vit afatin e ligjeve që nuk zbatohen e që kanë kosto juridike, financiare e njerëzore, deri sa të gjejë zgjidhjen e duhur për të zhbërë nismën që e kanë trumbetuar e raportuar me forcë kudo në nivel kombëtar e ndërkombëtar, si “shpëtim” të forcës policore.

Ndaj, përveç shkeljeve kushtetuese që përmban ky ligj, ripërsërisim thirrjen për Kuvendin se, nëse miratohet dhe hyn në fuqi, ky ndryshim do të sjellë pasoja të rënda në drejtim të stabilitetit dhe mirëfunksionimit të trupave policore.

Ky ndryshim do të rrisë pasigurinë e trupave policore dhe rrjedhimisht, pasoja e pritshme negative do të jetë ulja e efektivitetit të tyre në punën e përditshme, nën presionin e vazhdueshëm dhe pa afat për t’iu nënshtruar vlerësimit kalimtar.

Ndërkohë që nga ana tjetër, vlerësimi i drejtuesve të lartë është një proces që duhet të kishte përfunduar tashmë për shkak edhe të numrit të kufizuar të tyre, ky vlerësim propozohet të shtyhet pa asnjë kufi kohor. Kjo nismë ngjan më shumë me një lehtësi apo favor që krijohet për drejtuesit e lartë aktualë të Policisë së Shtetit, në kundërshtim me vetë qëllimin e nismës ligjore për të siguruar institucione të forta e të besueshme, me profesionistë me integritet.

Të njëjtat gjetje dhe vlerësime Presidenti i Republikës i ka shprehur edhe në Dekretin nr.11536, datë 08.07.2020, kur ka arsyetuar kthimin e ligjit nr. 74/2020 .

Ky pezullim i procesit, përveçse nuk është në përputhje me qëllimin e ligjit bazë nr. 12/2018, që u miratua si nevojë e një reforme prioritare në Policinë e Shtetit, ngjan më shumë me një “favor” që iu bë drejtuesve dhe funksionarëve aktuale të Policisë së Shtetit, për të mos kaluar në procesin e vetting- ut në këto momente, duke i kthyer ata automatikisht, të varur nga vullneti politik sot, dhe në shërbim të presionit politik nesër.

Kjo pasi heqja e afatit për përfundimin e procesit apo pezullimin tërësor të tij, krijon të gjitha premisat për mbajtjen nën presion të vazhduar të forcave policore, nëpërmjet forcës ndëshkuese të mekanizmit të vlerësimit kalimtar (vetting-ut).

Mospërcaktimi i kohës së mbylljes së procesit të vlerësimit kalimtar (vetting-ut), apo pezullimi pa afati i vet procesit krijon terren që ky vlerësimi kalimtar (vetting-u) të përdoret si një mekanizëm ndëshkimor apo shantazhues për gjithë strukturën policore, ç’ka mund të sjellë një situatë shqetësuese, paqëndrueshmërie dhe destabilizuese në këtë strukturë.

Veçanërisht në një kohë kur kemi hyrë në fazën e fushatës zgjedhore dhe vendi pritet t’iu nënshtrohet zgjedhjeve të përgjithshme, forcimi i këtij presioni përmes vlerësimit kalimtar (vetting-ut), bëhet akoma më i dëmshëm dhe i rrezikshëm për garantimin e paanësisë së forcave policore e për pasojë, tepër shqetësues.

Pezullimi i procesit dhe për pasojë, zgjatja e këtij procesi me një afat të papërcaktuar, përveç se nuk përkon me nevojën e menjëhershme që ka shteti shqiptar për një Polici Shteti që të ketë kaluar procesin e vlerësimit kalimtar (vetting-ut), krijon një gjendje pasigurie të tejzgjatur për çdo punonjës subjekt i ligjit, referuar faktit nëse do ta kalojë apo jo procesin e vetting-ut.

Pikërisht kjo gjendje pasigurie me afat të papërcaktuar, e kombinuar edhe me faktin që struktura që do të duhet ta realizojë procesin e vetting-ut është SHÇBA-ja, një strukturë në varësi direkte të një funksionari politik, ndikon drejtpërdrejt në rezultatet dhe punën e forcave policore, të cilat do të vihen nën një situatë edhe më të shtuar pasigurie dhe tensioni. Kjo pasiguri e personelit policor ka gjithë premisat që të keqpërdoret së tepërmi në situata të veçanta, sidomos përgjatë procesit zgjedhor.

Konkretisht, mospërcaktimi i afatit se kur përfundon procesi “vetting”, apo pezullimi i vet procesit në tërësi, mund të sjellë:

a) Rrezikun e ndikimit dhe presionit të vazhduar ndaj veprimtarisë së përditshme të forcave policore;

b) Mund ta zgjasë kohën e qëndrimit brenda forcave policore të individëve që nuk e meritojnë të jenë pjesë e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës dhe që për shkak të profilit të tyre, janë lehtësisht të shantazhueshëm.

Ripërsërisim edhe një herë qëndrimin që ka mbajtur Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias) lidhur me procesin e rivlerësimit kalimtar në përgjithësi, për Shqipërinë.

Procesi i vlerësimit kalimtar, është një proces jo i zakonshëm, që duhet të kryhet për arsye madhore që lidhen me interesin publik dhe për këtë arsye, mund dhe duhet të jetë vetëm një proces rreptësisht i përkohshëm. Kjo ka qënë dhe ideja në rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe po kështu është shprehur edhe Komisioni i Venecias për këtë çështje.

Komisioni i Venecias, në datën 19 qershor 2020, në Opinionin e miratuar nr. 978/2020 për Shqipërinë “Mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, si dhe në dy Opinionet e mëparshme për këtë çështje , ka ripërsëritur qëndrimin se:

“Procesi shumë radikal i verifikimit (“vlerësimi i kualifikimit”) i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i krijuar posaçërisht mund të shihet si i përshtatshëm në kontekstin shqiptar, mbi bazën e supozimit – të përhapur gjerësisht – që niveli i korrupsionit në gjyqësorin shqiptar ishte jashtëzakonisht i lartë dhe kërkonte masa urgjente dhe radikale. […] Sidoqoftë, Komisioni këmbënguli që vettingu mund të ishte vetëm një masë e jashtëzakonshme dhe rreptësisht e përkohshme dhe Komisioni bëri një numër rekomandimesh në mbrojtje të këtij procesi. […] procesi i verifikimit duhej të ishte “rreptësisht i përkohshëm”, që të mos ndodhte që strukturat e vettingut të zëvendësonin organet e zakonshme kushtetuese. […] Sidoqoftë, për Komisionin është e qartë se procesi i vetting duhet të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur, por duke siguruar një shqyrtim të drejtë të secilit rast.”

Këto rekomandime të Komisionit të Venecias për Shqipërinë janë rekomandime që kanë trajtuar thelbin e një procesi të “rivlerësimit kalimtar”, ndaj duhet të kishin gjetur reflektim edhe në ligjin për vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.

Referuar gjitha sa u parashtrua sa më sipër, një ndërhyrje e Kuvendit që mund të vlerësohej e pranueshme mund të përkonte me faktin që procesi i vlerësimit kalimtar mund të pezullohej vetëm për një afat të përcaktuar 30-45 ditë, duke përfshirë periudhën para dhe pas zgjedhore, për të shmangur kështu çdo lloj mundësie mbi çdo tentativë për përdorimin e forcave policore përmes trysnisë së procesit vetting.

4. Edhe vetë titulli i ligjit nr. 30/2021, njësoj si ndryshimet e bëra në vitin 2020, nuk është konform rregullave të teknikës legjislative.

Titulli i ligjit nr. 30/2021, reflekton sikur në ligjin nr. 12/2018 bëhen edhe shtesa, edhe ndryshime. Ndërkohë që nga përmbajtja e ligjit, bëhet vetëm një shtesë (shtohet dispozita e numërtuar 68, si dispozitë kalimtare). Pra, ligji nr. 30/2021, objekt shqyrtimi, është një ligj që bën vetëm një shtesë dhe asnjë ndryshim.

Ndërkohë që, ligji bazë nr. 12/2018, përmbante një dispozitë të numërtuar me numrin 68, që ishte dispozitë kalimtare, dhe që u shfuqizua me ndryshimet e bëra në vitin 2019. Në përputhje me rregullat e teknikës legjislative, gjithnjë në funksion të parimit të sigurisë juridike, dispozitat e shfuqizuara, nuk ripërfshihen në ligj me të njëjtin numër. Por çdo ndryshim, bëhet përmes neneve që numërtohen me fraksion.

Numërimi i dispozitave të një ligji ndryshues duhet të jetë i lidhur qartë me tekstin e ligjit origjinal, me qëllim që të lehtësojnë konsolidimin dhe të mundësojnë verifikimin e gjendjes së ligjit në çdo kohë. Si rrjedhojë, numrat dhe shkronjat e një neni të shfuqizuar nuk duhet të përdoren tek nenet ndryshuese, përveçse kur i gjithë neni është ndryshuar. Këto elementë janë tepër të rëndësishëm, pasi jo vetëm që lidhen pandashmërisht me cilësinë e ligjeve, por shmangin konfuzionin që krijohet gjatë zbatimit të tij.

Duke qenë se ligji bazë, apo dhe ndryshimet e tij më pas, kanë gjetur zbatim dhe krijuar pasoja për një periudhë të caktuar, zbatuesi i ligjit duhet të jetë në gjendje në të ardhmen të identifikojë si ka qenë legjislacioni i zbatueshëm. Kjo nevojë për identifikimin e legjislacionit të zbatueshëm në periudha të caktuara kohore dhe përmbajtjes konkrete të tij, lidhet direkt edhe respektimin e parimit të sigurisë juridike.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë!

Për të gjitha sa u parashtruan më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1, të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 30/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, të ndryshuar”.

Kuvendi i Shqipërisë duhet të reflektojë mbi këtë nismë, duke garantuar që, procesi i vlerësimit kalimtar të Policisë së Shtetit të kryhet në mënyrë të drejtë, nga një trupë e pavarur dhe e paanshme, brenda një kohë sa më të shpejtë të jetë e mundur, me qëllim garantimin e një trupe policore me integritet dhe profesionale, e cila funksionon në mënyrë të qëndrueshme dhe të paanshme, dhe jo mbajtjen e saj nën presion të vazhduar, përmes mekanizmave të procesit vetting.

Sinqerisht,

Për kë do të votoni në zgjedhjet e 25 prillit?
  • Koalicioni i udhëhequr nga PD 53%, 8502 votes
    8502 votes 53%
    8502 votes - 53% of all votes
  • PS 28%, 4539 votes
    4539 votes 28%
    4539 votes - 28% of all votes
  • Nuk do të votoj 9%, 1492 votes
    1492 votes 9%
    1492 votes - 9% of all votes
  • LSI 5%, 785 votes
    785 votes 5%
    785 votes - 5% of all votes
  • Të tjera 4%, 666 votes
    666 votes 4%
    666 votes - 4% of all votes
Total Votes: 15984
19/03/2021 - 25/04/2021
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.