Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas takimit që pati para disa minutash me ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio. Përmes një postimi në “Facebook”, Meta ka treguar se çfarë diskutoi me ministrin, ndërsa ndau me publikun edhe foto nga takimi.
Kreu i shtetit i ka shprehur falenderime për kontributin e deritanishëm të dhënë nga Italia, ndërsa u shpreh i hapur edhe për ndihma të tjera për të rindërtuar zonat e prekura nga tërmeti.
“Kënaqësi të takoja sot Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane, Sh.T.Z. Luigi Di Maio. Shpreha falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia mike në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi vendin tonë.
Asistenca italiane për rindërtimin dhe rehabilitimin e zonave të prekura është e mirëpritur! Partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera e tradicionale mes dy popujve tanë, meritojnë të forcohen më tej, për një të ardhme më të ndritur!”, tha Ilir Meta në “Facebook”.
Më herët, ministri italian u takua edhe me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Gjatë takimeve, Luigi Di Maio ka diskutuar me liderët jo vetëm për tërmetin, por edhe për situatën politike dhe sesi duhet të arrihet në një zgjidhje. Ai kërkoi nga mazhoranca dhe opozita që të ulen në dialog.
(M. I./ Faxweb.al)