Presidenti i vendit Ilir Meta, përmes një postimi në facebook, ka rikthyer edhe njëherë në vëmendje fenomenin e shpopullimit që po ndodhë në Shqipëri, por kësaj radhe duke e parë në një këndvështrim më rajonal.
Meta në mbishkrimin e fotove të publikuara nga takimi me Kryetarin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Šefik Džaferović, thekson se vendet e Ballkanit, por veçanërisht Bosnja dhe Shqipëria duhet të ndërrmarin reformat ë guximshme që të kthejnë shpresën tek të rinjtë, në mënyrë që ata të mos largohen.
Postimi i plotë: Të gjitha vendet e rajonit tonë kanë një armik të përbashkët: Shpopullimin, veçanërisht largimin masiv të të rinjve.
Në rastin e Shqipërisë, situata është edhe më kritike se kudo tjetër, për shkak të një qeverisjeje të mbrapsht që nuk respekton liritë, të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, ka shkallmuar shtetin e së drejtës, refuzon sundimin e ligjit, dhunon brutalisht demokracinë dhe provokon rëndë paqen sociale.
Të gjitha vendet në rajon, veçanërisht Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina, e duan integrimin europian, që nuk duhet të jetë thjesht retorikë për të marrë financime nga Komisioni Europian dhe institucionet e BE-së, por që në radhë të parë kërkon reforma të guximshme, të shpejta dhe të prekshme, që rikthejnë shpresën tek të rinjtë dhe garantojnë të ardhmen e sigurtë europiane të vendeve tona.