Në pritje të vendimit final ndaj tij, që do të jepet rreth orës 16:00 të pasdites së kësaj të enjteje, Saimir Tahiri si gjithmonë përcolli edhe në gjyqin e sotëm mesazhe të koduara, që shigjetonin Fatmir Xhafajn dhe Edi Ramën.
Të parin Tahiri zgjodhi që ta ngacmojë sadopak, kur u shpreh përpara gjykatës se kishte njerëz që nuk mbanin përgjegjësi për vëllezërit e tyre, dhe jo më ai vetë të mbante për kushërinjtë idiot që gjithsecilit prej nesh mund ti rastisnin në fisin e tyre.
‘’Kam 2 vjet që jam nën hetim, unë ministri i brendshëm akuzohem se kam trafikuar drogë. Ska asnjë provë. E vetmja provë është se i kam shitur makinën vëllait të Moisi dhe Florjan Habilaj, që nuk është i përfshirë në asnjë akuzë kriminale.
Edhe sikur të isha vëllai i Habilajve nuk kisha pse të jem fajtor se vëllezërit merren me drogë, sot ka njerëz që nuk mbajnë përgjegjësi për vëllezërit e tyre”, do të shprehej Tahiri në Gjykatë.
Ndërkohë Tahiri nuk e kurseu as shefin e tij të madh Edi Rama, takimin me të cilin e përdori si një alibi për tu shpëtuar përgjimeve që kanë dalë në dritë nga Prokuroria.
“As unë As Edi Rama nuk jemi shefat e krimit, Rama është shefi i madh në politikë. Na datën 23 Prill për të cilën akuzohem kam qenë në drekë në Dajt me Edi Ramën dhe qeverinë dhe jo me Habilajt. Ja ku janë titujt e gazetave që e kanë publikuar dhe në foto unë me Ramën.
Për mua është jeta ime në këtë proces, për ju është vetëm një proces. Më kanë vënë edhe bomba gjatë punës time. Iki në burg vetë nëse më vërtetohen akuzat”, do të shprehej më tej Tahiri, për të thënë se ai ka qenë një nga më të besuarit e Ramës, dhe gjithçka ka bërë ka qenë dhe në dijeninë e tij.
Për të mos qenë vetëm në rast se bie në rrjetën e drejtësisë, Tahiri në seancën e kaluar u kujdes të bënte dhe një tjetër deklaratë.
Atë se ku i kishte dërguar paratë për të cilën ishte dëgjuar në përgjime, ai do të shtonte se në rast se kishte përfituar miliona euro, atëherë nën hetim do të duhet të ishte dhe partia socialiste, gjë që dihet botërisht që nuk ka ndodhur.
“Nëse ka një pretendim që harxhoja 20 mln euro në fushatë, që në atë kohë unë kisha një muaj në detyrë dhe dy trafikantë bisedonin ai merr 5 milionë euro në muaj, atëherë përse Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka hetuar nga Edi Rama tek unë dhe te të gjithë e të bënte namin.
Ç’është kjo parti dhe këta njerëz që harxhojnë kaq para? Por ata e dinë që është një përgjim thashethem dhe ordiner… E përsëris, prokuroria ka pasur 2 vjet kohë ta hetonte për mua”, tha Tahiri.
Në rast se Tahiri dënohet, kjo do të përbënte padyshim një nga rastet e para të dënimit të të zyrtarëve të lartë në vendin tonë, ndërsa pikëpyetjet hipotetike janë për atë që do të pasojë.
Deputeti i opozitës së re Myslym Murrizi do të paralajmëronte sot në Kuvend se Tahiri ka filmime që implikojnë Ramën, dhe do të ishte gati ti nxirrte në rast se merr dënim nga policia. Po sesa të vërteta do të jenë të gjitha këto, do të na mbetet të presim të paktën dhe disa orë.
(E.K/Faxweb.al)