Publicisti Fatmir Merkoçi i ftuar në Fax News u shpreh haptazi kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, duke u shprehur se ai është një monument kulture dhe duhet të ruhet.
Sipas Merkoçit nëse projekti që është paraqitur nga arkitekti Ingels do të paraqitej në Kopenhagen më e pakta që atij mund ti ndodhej ishte t’i hiqej licensa.
Publicisti u shpreh më tej se reagimi i opozitës duhet të ishte më i vendosur, dhe duhet të nisë nga dërgimi i ligjit që u kalua pak ditë më parë, në Gjykatën Kushtetuese.
‘’Teatri është një monument kulture që duhet ruajtur, kjo është një çështje shumë thelbësore, pasi në atë godinë është kultura dhe tradita. Ligji për Teatrin është antikushtetues, pasi nuk mund të merret prona e qytetit dhe ti jepet një kompanie private.
Nuk besoj se ka një njeri që është kundër Teatrit të ri, edhe nëse bëhet një teatër të ri, të bëhet aty ku është dhe të ruhet e njëjta arkitekturë. Në çdo teatër që kam qenë në botë, nuk kam parë që godina e Teatrit të jetë poshtë një godinë tjetër, pra kulle. Nëse ky arkitekti do e paraqiste projektin në Kopenhagen, nuk po them që do futej në burg, por ama licensa do i hiqej.
Kjo është një pronë publike, dhe çështja mund të zgjidhet vetëm me referendum. Më vjen keq që shumë njerëz e kanë marrë çështjen a doli filan aktor kundër, a doli pro, nuk është kjo çështja që duhet të diskutohet. Protesta e nisur fillimisht nga aktorët u përhap, dhe u mbështet nga qytetarët. Unë them që protestën duhej që ta merrte përsipër sindikata e artistëve, ajo duhet që të ishte primare. Kjo për shkak se kjo organizatë është zyrtare dhe duhej që ta përfaqësonte në takime të ndryshme në qeveri apo në Kuvend.
Unë mendoj se duhet të kishte një reagim më të fortë të opozitës, opozita nuk është vetëm për të shkuar në Parlament. Unë pres që opozita të ndërmarrë hapat e saj, duke filluar nga dërgimi i ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Unë besoj që Teatri nuk do të shëmbet në vetëdijen time. Ça do Veliaj që del në takime, si mundet që drejtuesi i një qyteti të dalë në takime të tilla”, u shpreh Merkoçi.