Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belina Balluku ka folur për rrugëtimin e saj në PS, gjatë një takimi elektoral ditën e sotme në Tiranë.
Balluku zbulon se mentori i saj në Partinë Socialiste është Fatmir Xhafaj, për të cilin thotë se i ka mësuar ccdo gjë.
Ministrja rrëfeu momente edhe nga greva e urisë që mbajti PS-ja pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, duke u shprehur se aty luante rolin e shtrigës.
“Unë në PS kam shkuar në 2006 dhe kam mësuar çdo gjë nga Fatmir Xhafaj. Ka qenë shkolla më e vyer që kam bërë. Në vitin 2011 me udhëzim që kishim nga Fatmiri dhe Gramozi kemi ruajtur çdo procesverbal pas mësimit që morëm nga 2009. Ne nuk kemi sjellë ndonjëherë njerëz me autobusë nga rrethet. Se kishim mundësinë sepse nuk na mbështeste asnjë biznesmen. Më kujtohet një moment në mbylljen e fushatës të 2009. Kryetari në atë kohë vazhdonte turin dhe ne na u dha detyra të qëndronim në Bulevard dhe kërkuam ndihmën e Fatmirit pasi Policia nuk na lejonte të vendosnim foninë në të gjithë bulevardin. Jemi përleshur 48 orë. Ne e ngritëm edhe skenën siç ngritëm edhe qytetin që i tregoi të gjithëve se çfarë force ishte PS-ja. Gjatë grevës së urisë, luaja rolin e shtrigës si gjithmonë. Mbaj mend që vinin nga çdo qytet për t’ju mbështetur. Kam qarë. Unë qaj shpesh. Kujtoj që unë kam qarë kur Fatmiri mbajti fjalën mbas mitingut për të thënë që 200 anëtarë të PS dhe deputetët e mbështetjes kishin vendosur të nisnin grevën e urisë, por kam qarë edhe kur kemi dalë nga greva e urisë pas vizitës së Edi Ramës në Bruksel. Kam qarë shumë në historinë time politike në PS. Por kam plot gjëra të mira për të kujtuar,“-tha ajo.
(E.H/Faxweb.al)