I ftuar ditën e sotme me anë të një lidhjeje me Sype, ishte Mentor Beqa, profesor i politikës ndërkombëtare
Beqa u ndal të analizonte situatën krijuar në veri të Kosovës, si edhe historikun e konflikteve që kanë ndodhur në mënyrë të vazhduar në këto komuna.
Ai u shpreh se tensionet kanë ardhur si pasojë e zgjedhjeve, dhe se diçka e tillë pritej, por jo që të merrte këtë përmasa.
Më tej ai theksoi se kontrolli dhe reagimi që institucionet e Kosovës do mbajnë edhe në vazhdim do të diktojë shumë rreth standardeve të vendit, kjo pasi edhe sytë e ndërkombëtarëve janë kthyer nga këto zhvillime.
“Situata në veriun e Kosovës, më duhet një situatë e përsëritur, nuk është hera e parë që gjendemi në një situatë të tillë. Natyrisht gjendja është shumë kritike, por po aq kritike ishte edhe mbas vendimit të qeverisë së Kosovës për targat. Kemi një lloj përsëritje të vazhdueshme të kësaj gjendje të tensionuar në veri, ku kontrolli mbi këtë pjesë të Kosovës është shumë i limituar, dhe ku aksesi i qeverisë serbe mbi popullatën është tepër i lartë. Është pikërisht ky komunitet, i cili kontrollohet dhe instrumentalizohet nga qeveria serbe për të kontrolluar zhvillimet në Kosovë. Pas arritjes së marrëveshjes kuadër në Bruksel, dhe rikonfirmimit të saj në Ohër u besua se do të kishte njëfarë kompromisi, por nuk ndodhi kështu. Dhuna e ushtruar nga grupet kriminale serbe ndaj policisë së Kosovës, KOFR-it si dhe gazetarëve është një demonstrim i vërtetë i fytyrës së Serbisë dhe se si ajo historikisht e ka përdorur veriun e Kosovës për ndezjen e konflikteve. Qeveria e Kosovës ka përgjithësinë e saj në këtë situatë, çka është evidentuar edhe nga ndërkombëtarët. Ajo që është për tu ardhur keq është se Kosova gjendet vazhdimisht në syrin e kritikave të ndërkombëtarëve, çka nuk është diçka pozitive për vendin dhe integrimin e saj në institucionet evropiane. E vërteta është që nga pikëpamja legale, Kosova ka të drejtë kjo pasi vetë serbët braktisën zgjedhjet. Ka një vakum të pushtetit legal, ku dhe mbushet nga autoritet paralele dhe jo legale. Përveç të drejtës në politikë duhet të merret në konsideratë edhe si qytetarët, ku dhe pjesëmarrja e ulët nuk legjitimon dhe përfaqëson pushtetin lokal. Në qoftë se Kosova me veprimet që ka bërë nuk arrin të maksimizojë veprimet që ka bërë, i bie që çdo gjë ka ndodhur kot”, tha Beqa.