Personat e përfshirë në skemën e korrupsionit në Itali kanë filluar të merren në pyetje që prej orës 10 të mëngjesit të sotëm. Në kuadër të operacionit “Profil i ulët”, hetuesit kanë marrë në pyetje sipërmarrësin Antonio Gallo, i akuzuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe kontakt me shefat e bandave.
Ai dyshohet të jetë ‘kryesori’ i hetimeve që coi në ekzekutimin e 50 masave ndalimi. Pasdite pritet të dalin para gjykatës Luciano D’Alessandro dhe Vincenzo De Luca, të cilët ndodhen pas hekurave.
Ndërsa në orën 12 është marrë në pyetje sipërmarrësi Umberto Gigliotta, i ndaluar në Vibo Valentia e më pas do të jetë radha e Tommaso Rosa, i arrestuar në Rossano, raportojnë mediat italiane. Marrja në pyetje e Franco Talarico ende nuk është vendosur se kur do të mbahet.
Megaoperacioni i autoriteteve italiane ka zbuluar nëpërmjet përgjimeve se përfshihet edhe një ministër shqiptar, identiteti i të cilit nuk zbulohet por thuhet se ka hequr dorë nga marrëdhënia me Lorenzo Cesën që rezulton i përfshirë në ngjarje kriminale.
Në hetime janë përfshirë edhe 2 shtetas shqiptar, konkretisht Henrik Baçi dhe Odeta Hasaj, kjo e fundit është njohur një ditë më parë me masën “Detyrim paraqitje”.
Fax News ka siguruar dokumentin e kontratës noteriale mes Sevario Bruttos dhe Henrik Baçit, i cili ndodhet në arrest shtëpie për dhurimin me emrin “Kontratë Kalim Kuotash dhe Dhurimi”.
Antonio Gallo shtetas italian, 41 vjeç prej dy vitesh rezulton pronar i një biznesi me emrin “GalloAlbania” në qendër të ish-Bllokut në Tiranë. Këtë biznes, Gallo e ka në ortakëri Henrik Baçin. Kompania në fjalë është regjistruar me emrin “GalloAlbania” më 4 maj 2017 ku Baçi dhe Gallo kanë një përqindje të barabartë 50 me 50. Kompania në fjalë ka përshkruar rreth aktivitetit të saj se merret me “Import-Eksport”, tregtim me shumicë dhe pakicë i veshjeve dhe tekstileve të ndryshme, punë profesionale, aksesorë të ndryshëm etj. Po ashtu kompania ka për aktivitet edhe tregtinë elektronike si: Veshje pune, veshje për dukshmëri të lartë, për rezistent ndaj zjarrit, veshje mjekësore dhe te ndihmës se shpejte, te papërshkueshëm nga uji zjarri, veshje hotelesh, dhe për të gjitha llojet e profesioneve bashkë me aksesorët përkatës.
Grupi në fjalë, ndaj të cilit janë lëshuar edhe urdhër-arrestet, në bazë të hetimeve nga pala italiane, është përgjegjës për një aferë prej 250 milion euro në pastrim parash dhe korrupsion mes dy vendeve, përkatësisht Shqipërisë dhe Italisë. Saverio Brutto është djali i politikanit Kalabrez Tomaso Brutto për të cilin dokumenti i mëposhtëm i siguruar nga Fax News tregon se e ka dhuruar biznesin pas krijimit të tij në Shqipëri të cilin e ka përfituar Henrik Baçi.